Shqipëria

10 shtatori, mbledhja e parë e Kuvendit të Shqipërisë


Të mërkurën e 1 shtatorit, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka dekretuar datën 10 si fillimin e punës së Kuvendit.

“Pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, më 25 prill, i cili u shpall nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Legjislaturës së IX-të të Kuvendit i përfundon mandati më 9 shtator”, shkruhej në dekretin e presidentit.

Më tej, ai thoshte se, “ditën e premte, më 10 shtator 2021, ora 10:00, thirret për t’u mbajtur mbledhja e parë e Legjislaturës së X-të të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”.

Në përfundim të njoftimit zyrtar, ky dekret ka hyrë në fuqi menjëherë.

Certifikimi i zgjedhjeve

Më 23 qershor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit 2021, ku fituese ka rezultuar Partia Socialiste (PS), me 74 mandate. Kështu, PS-ja mori të drejtën e qeverisjes si e vetme – në legjislaturën e re të shtatorit.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në mbledhjen e zhvilluar miratoi rezultatet në të dymbëdhjetë qarqet e Shqipërisë, pas një periudhe njëmujore të ankimimeve nga Partia Demokratike (PD) dhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI).

Të gjitha ankimimet e tyre u rrëzuan si nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, ashtu edhe në Kolegjin Zgjedhor.

Është certifikuar, po ashtu, edhe lista e re e deputetëve, të cilët marrin mandate sipas shpërndarjes.

Përtej fitores së socialistëve, me 59 mandate, PD-ja renditet e dyta. Ndërsa, Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë katër mandate.

Me një surprizë zgjedhore, Partia Socialdemokrate ka arritur të fitojë tre mandate, dy prej të cilave në Qarkun e Shkodrës.

“Rama 3”, kur?

Partia Socialiste do të mbajë Asamblenë e saj të Përgjithshme më 2 shtator. Ajo do të zhvillohet në orën 10:00, në ambientet e Pallatit të Kongreseve.

Ndërkohë, lajmin e ka komunikuar vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një bilanci përmbyllës që bëri javën e kaluar me ministrat e kabinetit “Rama 2” – mbi katërvjeçarin e dytë qeverisës.

Zotimi i parë i punës së Qeverisë së re, sipas kryeministrit, do të jetë vijimi i punës për nismën “Open Balkan”. Kalimi i detyrës do të bëhet i menjëhershëm.

Sipas tij, ka shumë opsione për të zgjedhur kabinetin. Kjo, pasi individët brenda Partisë Socialiste janë të shumtë dhe në lartësinë e detyrës.

Përtej kabinetit, do të shpallet edhe kryesia e Grupit Parlamentar apo strukturave drejtuese brenda PS-së.

Gjithashtu, një “stol rezervash” është ai që do të jetë aty në pritje, nëse do të jetë nevoja.

I sigurt ndërkaq është fakti se Najada Çomo, kryesuesja e listës së Tiranës, nuk do të jetë pjesë e Parlamentit.

“Jam prekur nga një komunikim me Dr. Najada Çomon. Ajo më kërkoi të ishte më pranë ekipit të saj, duke dhënë kështu dorëheqjen nga mandati i saj si deputete në Parlamentin e Shqipërisë”.

Kështu deklaroi kryeministri Rama mbi telefonatën që ka pasur me Çomon.

Punën e bërë në katër vite nga kabineti “Rama 2”, ai e ka cilësuar si pozitive. Kryeministri shpalosi një bilanc, të cilin e quajti të suksesshëm, pavarësisht nga ndikimi që ka pasur tërmeti i nëntorit 2019 dhe pandemia e COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore