Lajme

10 kandidatë për kryetarë të komunave në Kosovë me probleme me ligjin


Ilustrim

Instituti Kosovës për Drejtësi, ka identifikuar dhjetë kandidatë prej të gjitha partive politike që janë duke u ballafaquar me gjykata, por që kjo s’ka qenë pengesë që ata t’i hyjnë garës për kryetarë të komunave për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Sipas IDK-së, Lëvizja Vetëvendosje, PDK-ja e AAK-ja me nga tre (3) kandidatë, pasuar nga Nisma me një kandidat.

Emrat e tyre që kanë telashe me ligjin janë Sami Lushtaku nga Skenderaj PDK-ja, Sokol Bashtota nga Klina dhe Murtez Zekolli nga Suhareka.

Kurse nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje është Mimoza Kusari-Lila nga Gjakova dhe Valon Ramadani nga Ferizaj.

Ndërkaq në AAK është Rrustem Berisha, kandidat për kryetar të Pejës dhe Zafir Berisha, kandidat i Nismës për kryetar të Komunës së Prizrenit.

“Nga të gjithë kandidatët për kryetarë të të gjitha komunave, IKD ka identifikuar një (1) kandidat i cili në tri (3) vitet e fundit ka dënime të formës së prerë, një (1) kandidat me një dënim më të vjetër se tri (3) vite derisa nëntë (9) kandidatë të tjerë janë duke u ballafaquar me aktakuza aktive[1]”, thuhet në njoftimin e IKD-së.

Por, IKD nuk ka identifikuar ndonjë kandidat nga radhët e LDK-së që ka probleme me ligjin.

Gjetjet e IKD-së tregojnë se edhe në këto zgjedhje, partitë e mëdha politike nuk kanë pasur vullnetin për t’i pastruar listat nga kandidatët për kryetar të komunave, të cilët kanë probleme me ligjin. Sipas gjetjeve të IKD-së, nga partitë e mëdha, përjashtim në këtë rast bënë LDK-ja.

Gjykata Kushtetuese, me vendimin 21 dhjetorit të vitit të kaluar, e kishte shpallur të pavlefshëm mandatin e deputetit Etem Arifi, për shkak të një dënimi të plotfuqishëm në tre vjetët e fundit. Sipas IKD-së, ky rregull duhet të vlejë edhe për zgjedhjet lokale.

Ndërkaq Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka dërguar në institucione përgjegjëse emrat e 3 mijë e 205 kandidatëve për verifikim që u takojnë subjekteve të ndryshme politike, e të cilët kanë kërkuar certifikimin për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Më 20 gusht, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media tha se shkresat me listat e emrave të kandidatëve i janë dërguar Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Doganës së Kosovës dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

KQZ, deri më 1 shtator do të marrë vendim lidhur me certifikimin e kandidatëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore