Sport

UEFA vendos të lejojë kombëtaret të marrin 26 lojtarë në Euro 2024


Ekipet kombëtare që do të marrin pjesë në Kampionatin Evropian EURO 2024 do të mund të thërrasin deri në 26 lojtarë.

Kështu ka vendosur Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, siç raporton një burim për AFP, duke pranuar kërkesat e disa komisionerëve teknikë në kuadër të turneut me 32 ekipe, që do të zhvillohet në Gjermani, me ndeshjet që do të nisin më 14 qershor.

Të gjithë lojtarët do të mund të paraqiten në fletën e ekipit, dhe për këtë arsye të shkojnë në stol, ndryshe nga Kampionatin Evropian 2021, kur skuadrat kishin skuadra me 26 lojtarë – të zgjeruar për shkak të Covid-it – por tre lojtarë duhej të shkonin në tribuna.

Megjithatë, thirrja e 26 lojtarëve nuk do të jetë një detyrim, por vetëm një mundësi për ata që duan ta shfrytëzojnë. Listat përfundimtare për Euro 2024 duhet të dorëzohen deri më 7 qershor, shtatë ditë para fillimit të turneut.

Tre javë më parë, ishte tekniku i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ai i cili doli kundër këtij propozimi.

Sylvinho del kundër propozimit për 26 lojtarë në Euro 2024

Ka qenë vetë presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe njëkohësisht zëvendëspresident në UEFA, Armand Duka, i cili ka pohuar pozicionimin e trajnerit Sylvinho për këtë çështje.

Gjatë një interviste në “Sport Elite” me gazetaren Qeqa Krelani, Duka ka treguar: “Është e vërtetë që në Gjermani është bërë një mbledhje e trajnerëve që janë pjesëmarrës në Euro 2024. Kanë diskutuar dhe janë konsultuar sepse ka pasur kërkesa që UEFA të ndryshojë numrin limit të futbollistëve pjesëmarrës për çdo skuadër të Kampionatit Evropian”.

“Është diskutuar teknikisht dhe di edhe faktin që Sylvinho, pavarësisht se nuk ka qenë pjesë e diskutimit, por mendimi i tij është që të mbetet me 23 futbollistë në listë”.

“Nuk është i vetmi, janë të ndarë në dy mendime. Disa që mendojnë për 23 futbollistë në listë dhe disa 26. Të gjithë kanë argumentet e veta, pro dhe kundër për këto ndryshime. Të gjitha këto mendime do të mblidhen dhe do të vijnë për miratim në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s në mbledhjen e 22 majit në Dublin të Irlandës”, zbuloi Duka.

8 qershori është përcaktuar nga UEFA si data e fundit kur trajnerët e ekipeve kombëtare të kualifikuara në Euro 2024 do të dorëzojnë listën përfundimtare me lojtarët e thirrur. Nëse ajo listë do të përmbajë 23 apo 26 emra, kjo mbetet të konfirmohet më herët, më 22 maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore