Sport

Sylvinho del kundër propozimit për 26 lojtarë në Euro 2024


Sylvinho

Ka një diskutim të gjerë mes trajnerëve të ekipeve të kualifikuara në Euro 2024 nëse lista përfundimtare do të përmbajë 23 lojtarë, sa është aktualisht, apo të zgjerohet në 26.

Si UEFA, për Euro 2020, ashtu edhe FIFA, për Botërorin 2022, kishin lejuar të gjithë trajnerët të zgjidhnin 26 lojtarë, duke i gjykuar si të jashtëzakonshme rrethanat në të cilat ndodhën këto dy ngjarje.

E para menjëherë pas Covid-it dhe e dyta në dimër, në mes të sezonit sportiv. Por, me tejkalimin e këtyre dy kushteve, UEFA vendosi të kthehet në të kaluarën, gjë që nuk ndodhi për pesë zëvendësimet, të cilat janë ende në fuqi.

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate është në mesin e atyre që kërkojnë një listë të zgjeruar për Euro 2024. Megjithatë, Sylvinho i Shqipërisë është kundër saj.

Ka qenë vetë presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe njëkohësisht zëvendëspresident në UEFA, Armand Duka, i cili ka pohuar pozicionimin e trajnerit Sylvinho për këtë çështje.

Gjatë një interviste në “Sport Elite” me gazetaren Qeqa Krelani, Duka ka treguar: “Është e vërtetë që në Gjermani është bërë një mbledhje e trajnerëve që janë pjesëmarrës në Euro 2024. Kanë diskutuar dhe janë konsultuar sepse ka pasur kërkesa që UEFA të ndryshojë numrin limit të futbollistëve pjesëmarrës për çdo skuadër të Kampionatit Evropian”.

“Është diskutuar teknikisht dhe di edhe faktin që Sylvinho, pavarësisht se nuk ka qenë pjesë e diskutimit, por mendimi i tij është që të mbetet me 23 futbollistë në listë”.

“Nuk është i vetmi, janë të ndarë në dy mendime. Disa që mendojnë për 23 futbollistë në listë dhe disa 26. Të gjithë kanë argumentet e veta, pro dhe kundër për këto ndryshime. Të gjitha këto mendime do të mblidhen dhe do të vijnë për miratim në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s në mbledhjen e 22 majit në Dublin të Irlandës”, zbuloi Duka.

8 qershori është përcaktuar nga UEFA si data e fundit kur trajnerët e ekipeve kombëtare të kualifikuara në Euro 2024 do të dorëzojnë listën përfundimtare me lojtarët e thirrur. Nëse ajo listë do të përmbajë 23 apo 26 emra, kjo mbetet të konfirmohet më herët, më 22 maj.

Euro 2024: Trajnerët po i kërkojnë UEFA-s edhe tre lojtarë shtesë në lista

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore