Lajme

Zgjatet marrëveshja e grurit ukrainas me 120 ditë


Është arritur akordi për zgjatjen e marrëveshjes së grurit ukrainas me 120 ditë, sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe ministrit ukrainas të Infrastrukturës, Oleksandr Kubrakov.

Përmes postimeve në median e tyre sociale Twitter, ata kanë bërë me dije se periudha për të cilën akordi është arritur, është prej 120 ditësh.

Teksa, kanë theksuar se kërkesa fillestare ka qenë për shtyrjen me një vit dhe për përfshirjen e Portit të Mykolaivit në skemë.

Megjithatë, ashtu siç shkruajnë të dy politikanët, po pritet ende një zyrtarizim i të gjitha kushteve të akordit, nga zyrtarët turq dhe ata të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Pjesë kryesore e arritjes së kësaj marrëveshjeje, sipas vetë Kubrakov, ka qenë edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili kushtet e tanishme është edhe emri kryesor ndërmjetësues mes Ukrainës dhe Rusisë, pas agresionit rus me fillim në 24 shkurt 2022.

Po ashtu, Kubrakov shton në fjalën e tij se kjo është një arritje e rëndësishme për gjithë botën, duke iu referuar luftës ndaj krizës globale ushqimore.

Kievi është ndër prodhuesit më kryesorë të grurit në botë dhe me zhbllokimin e parë të tregtisë së grurit pas luftës, 10 milionë tonë dolën nga portet ukrainase, për t’u shpërndarë në tregjet botërore, duke lehtësuar tregun.

Nëse porti i Mykolaivit përfshihet po ashtu në marrëveshje, atëherë kemi të bëjmë me një sukses të mëtejshëm, pasi nga aty mund të dalë një sasi edhe më e madhe gruri, duke ngopur më tej tregun dhe duke ndihmuar në uljen e çmimit.

Edhe për Zelenskyn, kjo është një arritje e madhe, së bashku me partnerët si Erdogan dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, për të zgjidhur krizën ushqimore në të cilën bota ndodhet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore