Lajme

Zelensky zbardh 5 garancitë që mori nga Mitsotakis


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka zbardhur gjithë takimin e tij me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis në Athinë, ku ka marrë edhe pesë garanci domethënëse.

E para, është ajo se Greqia iu bashkua koalicionit të aviacionit: ajo do të trajnojë pilotët ukrainas për të fluturuar F-16. Greqia po përgatit gjithashtu një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën.

“Unë propozova mënyra që Greqia të na ndihmojë në sigurimin e korridorit të ri të Ukrainës në Detin e Zi, duke siguruar lirinë e lundrimit dhe eksportet e papenguara të grurit”, vijon pika e dytë e Zelenskyt.

Më tej, e treta lidhet me pjesëmarrjen e Greqisë në rimëkëmbjen e Ukrainës, duke përfshirë mundësinë që Greqia të marrë patronazh për rimëkëmbjen e Odesës.

E katërta, pas nënshkrimit nga Greqia të Deklaratës së G7 në mbështetje të Ukrainës, ka të bëjë me rënien dakord për të vijuar me bisedimet dypalëshe për garancitë e sigurisë.

“Ukraina përgatitet të hapë bisedimet e pranimit në BE këtë vit dhe falënderoj Greqinë që na mbështet në rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE. I jam veçanërisht mirënjohës kryeministrit Mitsotakis për nënshkrimin e sotëm të deklaratës në mbështetje të integrimit euroatlantik të Ukrainës”, përmbyll Zelensky me pikën e pestë.

Gjithashtu, ai ka falënderuar Greqinë për mbledhjen e samitit Ukrainë-Ballkan, një format i gjerë i punës së përbashkët për garantimin e lirisë dhe sigurisë për të gjithë kombet tona dhe të gjithë Evropën.

Por, një samit, i cili nuk pa një aleat kyç rajonal, si Shqipëria, për shkak të ftesës së munguar ndaj kryeministrit Edi Rama, prej Mitsotakisit.

Përkundër, ka pasur një ftesë për Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, i cili për shkak të agjendës nuk e ka pasur mundësinë e pjesëmarrjes në këtë darkë informale të organizuar në Athinë.

Ftesa e munguar ndaj Ramës gjithsesi, shihet si një ftohje e Mitsotakis karshi kryeministrit shqiptar, sa i takon çështjes së Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, i cili është lënë në burg me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sa i takon aktit të shitblerjes së votës në zgjedhjet e 14 majit.

Darka e Ballkanit Perëndimor në Athinë mes mosmarrëveshjeve Greqi-Shqipëri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore