Kosova

Enver Sekiraqën e lanë institucionet e shtetit të largohet nga Kosova? – Kurti, Haxhiu e Sveçla refuzojnë të tregojnë se çfarë ndodhi


Ilustrim: Enver Sekiraqa, Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Xhelal Sveçla

Po kalojnë 24 orë prejse Besnik Berisha, avokat i Enver Sekiraqës, i dënuar me 25 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinë për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza, deklaroi se klienti i tij është larguar nga Kosova me dijeninë e autoriteteve kosovare, por akoma asnjë reagim nuk ka ardhur nga institucionet e shtetit që paraprakisht dhanë lajmin sikur Sekiraqa është arratisur.

Se Sekiraqa, njeri i mirënjohur nga bota e krimit në Kosovë, i ka ikur drejtësisë, u mor vesh të shtunën e kaluar kur Policia e Kosovës kishte shkuar në banesën e tij për ta rikthyer në paraburgimin obligativ, pasi kështu vendosi Gjykata e Apelit duke rrëzuar vendimin paraprak që thoshte se ai mund ta vazhdojë fazën tjetër deri në vendim përfundimtar me një masë të arrestit shtëpiak.

Derisa “habinë” për situatën shprehu edhe vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një mbledhje qeveritare, ku edhe fajësojë sistemin për krijim të mundësisë për arratisjen e Sekiraqes, avokati Berisha tha në emisionin “Five” në Dukagjin se në fakt shteti e ka ditur se Sekiraqa po largohet.

“Shteti e dinë sepse nuk ka dalë duke fluturuar, ka kaluar nëpër pikat pika kufitare si qytetar”, deklaroi.

Albanian Post ka dërguar pyetje në drejtim të Policisë së Kosovës për të konfirmuar atë çfarë deklaroi avokati Berisha, por nuk është kthyer akoma përgjigje prapa.

AP kontaktoi edhe me avokaten e kamotshme të Sekiraqes, Kosovare Kelmendi, për ta pyetur rreth deklarimeve të kolegut të saj.

Ajo pohoi se nuk e sheh të nevojshme që të prononcohet meqë i ka thënë të gjitha kolegu i saj Berisha.

“Po kuptohet qartë se e ka deklaruar publikisht kolegu i nderuar, perse ju nevojitet edhe prononcimi im?”, tha ajo, duke shtuar se “atë qe ka njohuri kolegu Besnik Berisha, atë edhe e ka deklaruar sigurisht”.

Për largimin në dijeninë e shtetit të Sekiraqes nuk kanë dhënë shpjegime as Ministria e Drejtësisë e ajo e Punëve të Brendshme, ende.

Gjykata Themelore e Prishtinës, më 3 maj e kishte dënuar me 25 vjet burgim Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.

Enver Sekiraqës paraprakisht i ishte ndryshuar edhe masa e sigurisë duke u lënë të mbrohet në liri.

Për këtë arsye të martën, Këshilli Gjyqësor i Kosovës kishte suspenduar gjyqtarin Agim Kuçi, i cili vendimin për Enver Sekiraqën – për t’u mbrojtur në liri – e kishte marrë pa u konsultuar me dy anëtarët e tjerë të trupit gjykues.

Ndryshe Albanian Post raportoi se me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale që u inicua nga Qeveria e Kosovës, në vitin 2023 u largua edhe dispozita e paraburgimit obligativ – që mundësonte paraburgimin e një personi kur dënimi ndaj të njëjtit caktohej mbi 5 vjet.

Me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, dispozita u largua dhe për këtë arsye gjyqtarët kanë bazë ligjore të mos e caktojnë paraburgimin edhe kur caktojnë burgim me dënim të përjetshëm.

Avokati Ardian Bajraktari, kishte qenë pjesë e grupit punues të këtij kodi.

Ai thotë për Albanian Post se arsyeja e largimit të ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale u bë për shkak se vlerësohej se paraburgimi i shqiptuar i dënimeve bëhej në kundërshtim me standardet ndërkombëtare.

“Paraburgimi obligativ shqiptohej kur dënim ishte me më shumë se 5 vjet burgim, sikurse ka qenë në Kodin paraprak të Procedurës penale. Pas shumë debateve dhe diskutimeve që janë zhvilluar nga grupi punues është vlerësuar se paraburgimi i shqiptuar në këtë mënyrë është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare si dhe në kundërshtim me të drejtat dhe liritë e njeriut, prandaj i është lënë gjykatës në diskrecion”, thotë Bajraktari për AP.

Sekiraqa ishte dënuar dy herë me burgim për të njëjtat akuza në të kaluarën, në vitin 2016 me 37 vjet burgim, ndërsa më 2019 me 30 vjet burgim, por Apeli i rrëzoi secilin prej atyre dënimeve duke e kthyer dhe rikthyer rastin në rigjykim.

Dispozita e paraburgimit obligativ që u hoq nga Qeveria, do të ndalonte arratisjen e Enver Sekiraqës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore