Kosova

Serbia çon letër në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, kërkon që Kosovës mos t’i avancohet statusi


Ilustrim

Anëtari i Delegacionit të Përhershëm të Parlamentit të Serbisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Zoran Dragishiç, në një letër drejtuar përfaqësueve të shteteve anëtare në prag të seancës parlamentare që mbahet më 27 maj në Sofje të Bullgarisë, kërkoi që Kosovës mos t’i avanancohet statusi nën argumentin se kjo do të çojë në “militarizimin e mëtejshëm” të vendit.

Komisioni i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s – institucion që mbledh rreth vetes mbi 280 delegatë nga 32 vendet anëtare – në mars vendosi për avancimin e statusit të Kosovës në nivelin e anëtares së asociuar nga statusi i mëparshëm i vëzhgueses. Megjithatë, në një letër të fundit, deputeti serb kundërshtoi dhënien e statusit të asociuar për Kosovën.

“Ne theksojmë faktin se katër nga gjithsej 32 anëtarë të NATO-s nuk e njohin Kosovën, që do të thotë se aleanca nuk ka konsensus për statusin juridik ndërkombëtar të Kosovës… dhënia e statusit të anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s do të rrezikojë procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, transmetoi N1.

Në letrën që mbanë vulën e Institutit Ndërkombëtar për Siguri (ISI) në Beograd shtohet se avancimi i statusit të Parlamentit të Kosovës në anëtare të asociuar do të ketë “pasoja të rënda” për Asamblenë Parlamentare të NATO-s, por edhe për procesin e integrimit euroatlantik të Ballkanit Perëndimor.

Ndryshe, anëtarët e asociuar mund të marrin pjesë pothuajse në të gjitha aktivitetet, seminaret dhe seancat plenare. Në seancat plenare, anëtarët e asociuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e kësaj asambleje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore