Sport

Atalanta e Gjimshitit fiton Europa League dhe i jep humbjen e parë sezonale Leverkusenit


Nëse do të mund t’i shkëmbenin të gjitha fitoret dhe rekordet e arritura në këtë sezon për një trofe evropian, ndoshta do ta bënin.

Por Bayer Leverkusen, disfatën e parë e ka marrë në apogjeun e sezonit të tyre perfekt, teksa Atalanta e udhëhequr nga kapiteni zikaltër (edhe kuqezi), Berat Gjimshiti, është shpallur fituese e Europa League.

Ekipi i drejtuar në mënyrë të përsorur këtë sezon nga trajneri veteran Gian Piero Gasperini i dha një leksion Xabi Alonsos dhe ekipit të tij të ri. Ndërsa, ylli i ndeshjes, është një dhe i vetëm e i padiskutueshëm: Ademola Lookman.

Tripletë e magjishme e tij në finalen e Europa League, lojtar i ndeshjes, hero i një sezoni tepër pozitiv për bergamaskët, të cilët shkojnë kështu automatikisht në Champions League sezonin e ardhshëm.

12’, 26’ dhe 75’. Këto janë minutat e golave të shënuar nga ai.

Nga ana tjetër, Leverkuseni nuk ishte vetvetja, me një ndeshje fantazëm, me një lojë të dobët, pa raste, pa rrezikuar asnjëherë portën e mbrojtur nga Juan Musso.

Gjimshiti, i pakalueshëm ditën e sotme në mbrojtjen e italianëve, edhe pse i ndëshkuar që herët me karton të verdhë.

Por Gasperini nuk e fali të riun Alonso në përgatitjen e ndeshjes. Gjithçka ishte e përpiktë në vendosje, asgjë jashtë pritshmërive, asgjë jashtë parashikimeve.

Ekipi pa yje, me lojtarë modestë dhe të përkushtuar për një sukses të madh, pas vitesh përpjekje, arrijnë kështu një trofe madhor evropian.

Me sytë tashmë, do të jenë për nga një shans tjetër për fitore madhore, finalen e Superkupës evropiane, ku do të përballen me fituesen e Champions League, e cila vendoset më 1 qershor mes Borussias së Dortmundit dhe Realit të Madridit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore