Shqipëria

Varhelyi: Reformat e Shqipërisë, të prekshme/Moshapja e negociatave, impakt negativ


“Moshapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka krijuar mosbesim te Bashkimi Evropian. Të dyja vendet i kanë plotësuar kushtet dhe i kanë kryer reformat”.

Kështu u shpreh Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi, gjatë prezantimit të Raport-Progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor, të martën e 19 tetorit.

Sipas tij, kjo po dëmton besimin tek ata, e cila është esenciale për BE-në.

Varhelyi theksoi faktin se Shqipëria ka realizuar reforma të thella, si ajo e drejtësisë dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Po ashtu, ai deklaroi se “është e rëndësishme mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare brenda vitit, për këto dy vende”.

“Ne presim më shumë luftë ndaj korrupsionit dhe respektimit të të drejtave të minoriteteve”, vijoi Komisioneri.

Ai u ndal dhe te zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, të cilat i vlerësoi me notë pozitive si të rregullta dhe të zhvilluara mirë.

Komisioneri Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi

“Çështjet dypalëshe, në pritje të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duhet të zgjidhen urgjentisht”, deklaroi ai.

Për të është thelbësore që shtetet anëtare të BE-së t’i miratojnë kornizat negociuese.

Paketa e Progres-Raportit, sipas Varhely-it, fokusohet në monitorimin e reformave kyçe, si sundimi i ligjit, funksionimi i institucioneve demokratike, administratës publike dhe reformave ekonomike.

Agjenda aktuale e zgjerimit mbulon partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë.

Negociatat e pranimit janë hapur me Malin e Zi në vitin 2012, me Serbinë në vitin 2014 dhe Turqinë në vitin 2005.

Në mars të vitit 2020, shtetet anëtare ranë dakord të hapnin negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Bosnjë dhe Hercegovina, e cila ka aplikuar për t’u anëtarësuar në shkurt të vitit 2016, dhe Kosova janë kandidatë të mundshëm.

Vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor

Për Malin e Zi dhe Serbinë, sipas tij, aktualisht është siguruar një ekuilibër i përgjithshëm në negociata. Për KE-në, prioritet për përparim të mëtejshëm mbetet përmbushja e standardeve të përkohshme të sundimit të ligjit.

Mali i Zi, sipas tij, duhet të rregullojë çështjet si liria e medias dhe korrupsioni. Në Serbi, ka vijuar ai, duhet të vazhdojë lufta ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe duhet të ketë liri në media.

Ndërsa Bosnjë dhe Hercegovina duhet të ecë përpara në të 14 prioritetet kryesore për të përparuar në rrugën e pranimit në BE.

“Drejtuesit politikë duhet të mbështesin, të mos prishin funksionimin e institucioneve shtetërore dhe të punojnë në miratimin e sundimit të ligjit dhe reformat në drejtësi”, vijoi Varhelyi për Bosnjën dhe Hercegovinën.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Layen, dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në konferencë për media-Shkup

Për sa i përket Kosovës, ai tha se tashmë ka qeverinë e saj të re të zgjedhur në shkurt. Ajo duhet të shënojë progres në luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e zhvillimit ekonomik.

Por nuk la pa përmendur se tashmë, Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave.

Bashkëpunimi Rajonal “Open Balkan”

Varhelyi u ndal dhe te takimi Slloveni i BE-Ballkan Perëndimor.

Ai theksoi faktin se udhëheqësit rikonfirmuan perspektivën evropiane të angazhimit të rajonit dhe në zgjerim.

Për të e rëndësishme është forcimi i bashkëpunimit rajonal, duke vënë theksin te “Open Balkan”.

Ai bëri thirrje se tre vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosova, Mali i Zi, Bosnjë dhe Hercegovina duhet t’i bashkohen nismës së “Open Balkan“.

Përveç kësaj, Varhelyi i mëshoi më shumë Tregut të Përbashkët Rajonal, si pasojë e Procesit të Berlinit.

“U bëj thirrje gjashtë vendeve të Ballkanit t’i kthehen Tregut të Përbashkët Rajonal dhe bashkëpunimit. Duam që të gjashta të jenë pjesë e Ballkanit të Hapur”.

Udhëheqësit e këtyre vendeve, sipas Vrahelyi-t, kanë pohuar nevojën për zbatim të shpejtë të Planit Ekonomik dhe të Investimeve – përfshirë Tregun e Përbashkët Rajonal.

Edi Rama, Zoran Zaev dhe Aleksandar Vuçiç firmosin marrëveshjet në kuadrin e Open Balkan
Raportet e mëparshme

Progres raporti i vitit 2020 për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut vuri theksin te konferencat e para ndërqeveritare, “të mblidhen sa më shpejt të jetë e mundur”.

Asokohe, Komisioni konfirmoi përparimin e mëtejshëm në zbatimin e reformave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Shqipëria tashmë ka bërë përparim vendimtar dhe është afër përmbushjes së kushteve të përcaktuara nga Këshilli në funksion të konferencës së parë ndërqeveritare”, shkruhej në raportin e vitit 2020.

Në raport nënvizohej se Kosova bëri përparim të kufizuar në lidhje me reformat e lidhura me BE-në dhe është e rëndësishme që autoritetet e Kosovës t’i dyfishojnë përpjekjet e tyre për të përparuar në rrugën evropiane, përfshirë përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Sipas KE-së, në rajon ende vërehej një ritëm i ngadaltë në kulturën gjyqësore – pa përkushtim të mjaftueshëm ndaj parimit të pavarësisë gjyqësore.

Ritmi i përgjithshëm, në luftën kundër korrupsionit, ishte ngadalësuar dhe rekordi në shumicën e partnerëve ishte larg përmbushjes së kërkesave për anëtarësim.

Në fushën e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit të mediave ka pasur përparimin më të vogël vitin e kaluar.

Komisioni miratoi gjithashtu vitin e kaluar – në të njëjtën periudhë – një plan gjithëpërfshirës ekonomik për Ballkanin Perëndimor.

Ky i fundit synonte të nxiste rimëkëmbjen afatgjatë të rajonit, një tranzicion të gjelbër dhe digjital dhe një sërë aspektesh ekonomike.

Deklaratat

“Hapja e negociatave të BE-së me Shqipërinë është një borxh që ka unioni ndaj të ardhmes së Shqipërisë dhe të rinjve shqiptarë”, do deklaronte presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, më 28 shtator.

Gjatë fjalës së saj, ajo ravijëzoi se “bisedimet dhe konferenca ndërqeveritare do të bëhen realitet për Shqipërinë para përfundimit të vitit”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

Nga takimi i 11-të i Këshillit të Stabilizim Asociimit (Këshilli SA) në Bruksel, von der Leyen do t’i paraprinte të njëjtës deklaratë si ajo e 28 shtatorit.

Ursula von der Leyen theksonte, gjatë muajit mars, se e ardhmja e Shqipërisë është Evropa dhe se negociatat e pranimit duhet të fillojnë.

Ajo rikonfirmoi asokohe se të gjitha kushtet janë plotësuar nga Shqipëria.

Përmes një deklarate për mediat, Këshilli SA vlerësoi, në fund të punimeve, sfidat me të cilat Shqipëria është përballur në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore