Shqipëria

Von der Leyen: Jam e vendosur, negociatat me Shqipërinë hapen brenda vitit


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama

“Hapja e negociatave të Bashkimit Evropian me Shqipërinë, është një borxh që unioni ka ndaj të ardhmes së Shqipërisë dhe të rinjve shqiptarë”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, zhvilluar në Qerekë të Krujës.

Gjatë fjalës së saj, ajo ravijëzoi se “bisedimet dhe konferenca ndërqeveritare do të bëhen realitet për Shqipërinë para përfundimit të vitit”.

Investimet në Shqipëri

“Do të kisha dashur shumë që fëmijët e mi të shkonin në një shkollë të këtillë”, nënvizoi von der Leyen.

Presidentja e KE-së falënderoi të gjithë aktorët që e bënë të mundur këtë projekt.

Më herët, ajo mori pjesë në inagurimin e shkollës dhe kopshtit “Korb Muça”, Qerekë, e cila është ndërtuar me fondet e BE-së në kuadër të programit “EU4Schools” pas tërmetit shkatërrues të nëntorit të vitit 2019.

Në vijim, von der Leyen uroi Tiranën për përzgjedhjen e kryeqytetit rinor për vitin 2022.

Sipas presidentes, nuk është vetëm projekti i shkollave që është në vëmendjen e BE-së, por rimëkëmbja – referuar dy proceseve, atij të vaksinimit dhe rindërtimit.

Momenti kur Tirana shpallet Kryeqyteti i Rinisë për vitin 2022 në Amiens/Francë

Presidentja e KE-së ka përshëndetur, ndër të tjera, edhe përfshirjen e Shqipërisë në platformën e certifikatave të vaksinave të BE-së.

Ajo shtoi se mjafton vetëm kodi që “të identifikoheni se jeni plotësisht të vaksinuar”.

Sipas von der Leyen, BE-ja ka investuar në mënyrë të konsiderueshme për rimëkëmbjen e Shqipërisë – 33.3 miliardë për të mbështetur pasojat e pandemisë.

Presidentja e KE-së u angazhua për një investim prej 500 milionë eurosh për këtë vit.

Ursula von der Leyen në inaugurimin e shkollës dhe kopshtit “Korb Muça”
Tregu i përbashkët rajonal

Gjatë konferencës, Ursula von der Leyen ka ravijëzuar në deklaratën e saj se është mbështetëse e fortë e Procesit të Berlinit.

Ajo ftoi të gjashtë partnerët e tregut të përbashkët rajonal që ka ende shumë punë për të bërë dhe se këto nisma duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe do të mirëpriten si të tilla.

“E rëndësishme është të ecim përpara. Sa më i shpejtë procesi, aq më i shpejtë procesi i integrimit evropian”, garantoi von der Leyen.

BE-ja, në vëmendjen e von der Leyen, u ndërtua mbi bazën e dialogut, dhe si fillim u bazua te zhvillimi i ekonomisë.

Edi Rama, Zoran Zaev dhe Aleksandër Vuçiç firmosin marrëveshjet në kuadrin e Open Balkan

“Ne”, deklaroi presidentja e KE-së, “do vendosim kursin e përbashkët të së ardhmes”.

Von der Leyen përgëzoi më tej autoritetet shqiptare për ecurinë e reformës në drejtësi.

Në vijim, presidentja vuri theksin te lufta ndaj korrupsionit dhe pastrimit të parave nëpërmjet strukturave të reja.

Sa i takon një ndarjeje të ofertave Maqedoni e Veriut-Shqipëri, von der Leyen shtoi se është punuar fort në drejtim të çeljes së konferencës të parë ndërqeveritare.

Konferenca e donatorëve 

Në konferencën e donatorëve të 17 shkurtit, Shqipëria nuk përfitoi vetëm donacionet e BE-së.

400 milionë euro shtesë iu dhanë vendit tonë nga Banka Evropiane e Investimeve.

115 milionë prej tyre ishin në formë grantesh të drejtpërdrejta nga Komisioni Evropian.

Në maj të vitit 2020, BE-ja solli në jetë programin EU4Schools, me një fond prej 75 milionë eurosh.

Ky program, i vënë në zbatim nga Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, do të ndihmonte në rindërtimin dhe rikonstruktimin e 58 shkollave të dëmtuara në 11 bashki të ndryshme.

Pse do ta vizitojë Ballkanin von der Leyen?

Vizita e presidentes së KE-së në rajon vjen një javë përpara Samitit të përbashkët midis BE-së dhe gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor. Ai do të mbahet në Brdo.

Vetë von der Leyen ka theksuar, gjatë fjalimit të saj të përvitshëm, për bilancin e punës së bërë nga Këshilli, se ka një rëndësi shumë të madhe që BE-ja të tregojë atashimin që ka karshi rajonit të Ballkanit.

Në Samit, ndërkaq, do të lindë edhe mundësia për të rikonfirmuar qasjen evropiane ndaj zgjerimit.

Po ashtu, edhe një perspektivë e re për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Implementimi i planit ekonomik të investimeve do të jetë, po ashtu, në qendër të vëmendjes së Samitit.

Kjo vizitë e Presidentes së KE-së vjen fill pas asaj të kancelares gjermane, Angela Merkel, më 14 shtator në Shqipëri.

E njëjta situatë – 6 muaj më vonë

Nga takimi i 11-të i Këshillit të Stabilizim Asociimit (Këshilli SA) në Bruksel, von der Leyen do t’i paraprinte të njëjtës deklaratë si ajo e 28 shtatorit.

Ursula von der Leyen theksonte, gjatë muajit mars, se e ardhmja e Shqipërisë është Evropa dhe se negociatat e pranimit duhet të fillojnë.

Ajo rikonfirmoi asokohe se të gjitha kushtet janë plotësuar nga Shqipëria.

Përmes një deklarate për mediat, Këshilli SA vlerësoi në fund të punimeve, sfidat me të cilat Shqipëria është përballur në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

Von der Leyen dhe WB

Në punimet e Samitit të Zagreb-it mes shteteve të Ballkanit Perëndimor (WB) dhe BE-së, von der Leyen do të deklaronte se të gjashta vendet “i përkasin Bashkimit Evropian”.

Por kjo deklaratë mbeti pa një afat të qartë se kur mund të bëhen anëtare – shtetet e WB-së.

Ministri i Jashtëm i atëhershëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, do ta përshëndeste deklaratën e von der Leyen si “inkurajuese”.

Von der Leyen e bëri komentin në Twitter pas samitit që u mbajt online për shkak të pandemisë COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore