Lajme

Akoma ekziston potenciali për konflikt në veri të Kosovës, sipas ushtrisë gjermane


Ilustrim

Forcat e Armatosura të Gjermanisë (Bundeswehr), derisa njoftuan për zgjerimin e kapaciteteve operacionale në kuadër të Forcës së NATO-s (KFOR), konsideruan se ekziston potenciali i përshkallëzimit të konfliktit në pjesën veriore të territorit kosovar që banohet kryesisht nga serbët.

“Për Gjermaninë, siguria dhe stabiliteti në Ballkan janë një shtyllë e rëndësishme e stabilitetit në të gjithë Evropën. Kosova tashmë është zhvilluar pozitivisht në aspektin politik, por ka ende potencial për konflikt në veri të vendit”, u tha në njoftimin e ushtrisë gjermane të enjten pasdite.

Automjetet e Bundeswehr arrijnë në Kosovë

Duke theksuar se mbi 200 ushtarë gjermanë janë dislokuar në Kosovë për të forcuar sigurinë dhe rendin publik pas thirrjes së NATO-s, në komunikatën e Bundeswehr nënvizohet ndër të tjera se Gjermania do të mbështesë edhe zhvillimin e mëtejshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Për më tepër, njësia e re operacionale është gjithashtu në gjendje të monitorojë grumbullimet jopaqësore të njerëzve dhe të kontrollojë trazira. Nëse është e nevojshme, mund të përdoret gjithashtu si një forcë e reagimit të shpejtë (QRF). Prandaj, ajo ka një gamë të gjerë dhe të zhvilluar mirë të aftësive për të mbështetur NATO-n në operacionet në Kosovë”.

NATO shtoi numrin e ushtarëve për shkak të situatës së paqendrueshme. Rreth 1 mijë ushtarë të forcave aleate në kaudër të KFOR-it zbarkuan në vend për shkak të situatës së brishtë të sigurisë, posaçërisht pas zhvillimeve të fundit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj shqiptarë të katër komunave veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale mes kundërshtimit të serbëve lokalë që pastaj shpërtheu në dhunë duke lënduar rëndë mbi 100 pjesëtarë të misionit paqeruajtës të KFOR-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore