Lajme

Këtë të mërkurë nis Samiti i Ballkanit Perëndimor në Slloveni


Liderët e Bashkimit Evropian (BE) dhe kolegët e tyre nga vendet e Ballkanit Perëndimor do të takohen këtë të mërkurë të 6 tetorit në Samitin e Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në Bërdo afër Kranjit në Slloveni.

Në këtë Samit do jetë prezentë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Këtë e pati konfirmuar për Albanian Post zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, përmes një përgjigje me shkrim më tre tetor.

Sipas tij, ekzekutivi veçse ka shprehur gatishmërinë për arritjen e dy marrëveshjeve.

“Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në samitin e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që kësaj radhe do të mbahet në Slloveni. Në mbështesim bashkëpunim rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. Tashmë kemi shprehur gatishmërinë tonë për arritjen e marrëveshjeve për lëvizjen e lirë me ID karta dhe njohjen e diplomave, por gjithmonë mbi bazën e trajtimit të barabartë në mes vendeve nënshkruese dhe qytetarëve të saj”, pati thënë Kryeziu.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu

Çfarë pritet nga samiti BE-Ballkani Perëndimor?

Nga njëra anë, BE-ja pritet të përsërisë përkushtimin për perspektivë evropiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe po ashtu vendet e rajonit të përsërisin orientimin e tyre drejt BE-së.

Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së janë pajtuar me tekstin e draftit të deklaratës që do të miratohet në këtë samit. Në të thuhet se liderët e BE-së përshëndesin përkushtimin e partnerëve nga Ballkani Perëndimor ndaj perspektivës evropiane, që sipas këtij dokumenti, “është në interes strategjik dhe mbetet një zgjedhje e përbashkët strategjike”.

Sikur edhe në deklaratat e mëhershme nga samitet e tilla edhe kësaj radhe do të përsëriten thirrjet për respektimin e parimeve të demokracisë, sundimit të ligjit, lirisë së mediave, shoqërisë civile, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtat e pakicave dhe kritereve tjera të cilat janë parime themelore të BE-së.

Ka pasur përpjekje të mëdha nga disa shtete anëtare që në deklaratë të përmendet qartë zgjerimi i BE-së. Në fund, shtetet anëtare janë pajtuar që kjo të përmendet, por krahas kësaj edhe kushti i zhvillimit të brendshëm të BE-së për të pranuar anëtarë të rinj.

“BE-ja rikonfirmon përkushtimin ndaj procesit të zgjerimit dhe vendimet në atë drejtim, bazuar në reformat kredibile të partnerëve, kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz dhe parimet e meritave individuale. Prandaj, do të intensifikojmë më tej angazhimin tonë përpara në rajon drejt transformimit politik, social dhe ekonomik, duke njohur përparimin e arritur nga Ballkani Perëndimor”, thuhet në versionin e fundit të draftit të deklaratës, që pritet të miratohet në Bërdo.

Sipas kësaj draft deklarate, “në këtë kontekst, ne nënvizojmë rëndësinë që të sigurohet që BE-ja të ruajë dhe thellojë zhvillimin e vet, përfshirë edhe kapacitetet për të integruar anëtarë të rinj”.

“Mbështetja e rritur e BE-së do të varet edhe në të ardhmen nga përparimi i prekshëm në fushën e sundimit të ligjit dhe reformave socio-ekonomike, sikur edhe nga përkushtimi i partnerëve ndaj vlerave evropiane, rregullave dhe standardeve”, thuhet në këtë draft-deklaratë.

BE-ja gjithashtu do të kërkojë nga vendet e rajonit që të vazhdojnë të përshtatin qëndrimet e tyre në politikën e jashtme me qëndrimet e përbashkëta të BE-së. Po ashtu nga liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që në dokument përmenden si “partnerë”, kërkohet që të bëjnë më shumë për t’u shpjeguar qytetarëve rëndësinë e institucioneve evropiane dhe faktin që BE-ja pa asnjë dyshim është partnerja më e afërt, investitorja kryesore dhe donatorja më e madh e ndihmës për rajonin.

Kjo thirrje vjen për shkak se, në disa shtete të rajonit ekziston përshtypja se vendet tjera kanë ndihmuar më shumë se Bashkimi Evropian.

“Niveli i paparë i mbështetjes duhet të jetë në tërësi i dukshëm dhe i njohur nga partnerët tanë edhe në komunikimin e tyre publike”, thuhet në dokument.

Nga teksti i këtij drafti shihet po ashtu se BE-ja do të kërkojë nga vendet e rajonit që të jenë të përkushtuar ndaj fqinjësisë së mirë dhe për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura mes tyre.

“Hapat e mëtejmë të vendosur nevojiten për të forcuar pajtimin dhe stabilitetin rajonal, sikur edhe për të gjetur dhe zbatuar zgjidhje finale, përfshirëse dhe obliguese të mospajtimeve bilaterale mes partnerëve dhe çështjeve që janë të rrënjosura në trashëgiminë e së kaluarës, në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare, përfshirë edhe Marrëveshjen për suksesionin”, thuhet në mes tjerash në tekstin e këtij draft-dokumenti”, raporton REL, përcjellë Albanian Post.

Nga ky samit, sipas të njëjtit tekst, pritet t’i shprehet mbështetje e plotë edhe përpjekjeve të të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialog Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Burimet e BE-së në Bruksel, duke folur me gazetarët, përfshirë atë të REL, në kushte anonimiteti kanë thënë se kësaj radhe nuk presin ndonjë problem në pjesëmarrje në samit nga ana e liderëve të 27 shteteve të BE-së, për shkak të Kosovës.

“Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e pesë shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, ne kemi organizuar samitin me qasje neutrale ndaj statusit të Kosovës”, ka thënë një burim diplomatik brenda BE-së.

Në një samit të ngjashëm që ishte mbajtur në Sofje në vitin 2019, Spanja kishte refuzuar të merrte pjesë për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës.

Pavarësinë e Kosovës nuk e njohin pesë vende të BE-së: Spanja, Greqia, Qipro, Sllovakia dhe Rumania.

Kryeministri i Spanjës pjesëmarrës në samitin e Sllovenisë, kërkon të hiqen simbolet për shkak të Kosovës

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, do të marrë pjesë të mërkurën në Samitin në mes të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor i planifikuar të mbahet me 6 tetor të këtij viti në Brdo të Sllovenisë në të cilin do të marrë pjesë edhe Kosova, por, siç raporton gazeta spanjolle El Periodico, është garantuar që – për shkak se Spanja nuk e njeh Kosovën si shtet – të mos ketë simbole shtetërore.

Sipas gazetës spanjolle nuk do të ketë flamuj ose simbole të asnjë vendi dhe shenjat e zakonshme të vendosura në tryezën e zënë nga secili prej pjesëmarrësve do të pasqyrojnë emrat e tyre, por pa specifikuar ndonjë pozicion të tillë si presidenti ose kryeministri.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez

Samiti i Tiranës

Ndryshe më 10 qershor të këtij viti në Tiranë u mbajt Samiti i Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.

Foto e përbashkët e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Tiranës

Procesi i Berlinit është një nismë e kancelares gjermane, Angela Merkel, e krijuar në vitin 2014.

Ai ka si synim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur kështu procesin e anëtarësimit në BE të gjashtë vendeve: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë, Mali i Zi dhe Serbi.

Procesi konsiderohet edhe si “paradhomë e BE-së”. Pas Gjermanisë, si nismëtare, organizatorë të samitit kanë qenë deri tani: Austria, Franca, Britania e Madhe, Italia, Polonia dhe Bullgari/Maqedonia.

Një nga arritjet e deritanishme të procesit të Berlinit është miratimi i planit për tregun e përbashkët rajonal dhe afrimi i të rinjve nëpërmjet rrjetit RYCO (Regional Youth Cooperation Office).

Megjithatë, konfliktet e pazgjidhura ndërmjet shteteve në rajon kanë qenë pengesë e vazhdueshme për funksionimin si duhet të nismave të dala nga Procesi i Berlinit.

Foto e përbashkët e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Tiranës

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore