Lajme

Mali i Zi jo me nismën “Open Balkan”, fokusi te Tregu i Përbashkët Rajonal


“Mali i Zi po fokusohet në Tregun e Përbashkët Rajonal, një iniciativë në kuadër të Procesit të Berlinit, e cila është më e përshtatshme për vendin sesa ajo e “Open Balkan” e nisur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut”.

Kështu është shprehur kryenegociatorja e Malit të Zi me Bashkimin Evropian (BE), Zorka Kordiç, për agjencinë e lajmeve Vijesti.

Qeveria ka mbështetur zbatimin e iniciativave rajonale, si instrument për pranimin më të shpejtë në BE. Kjo meqenëse “Mali i Zi është vendi më i përparuar në rajon kur është fjala për procesin e integrimit në BE”, sipas Kordiç.

“Ne duhet të përqendrohemi kryesisht në zbatimin e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal nën kujdesin e Procesit të Berlinit, si një nismë politike që përfshin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, theksoi ajo.

Kordiç deklaroi se, Tregu i Përbashkët Rajonal ishte më gjithëpërfshirës sesa “Open Balkan”, sepse trajton infrastrukturën digjitale, inovacionin dhe një politikë të vetme investimi sipas standardeve të BE –së, përveç katër lirive të lëvizjes.

“Kjo është pjesë e aspiratës sonë për anëtarësim në BE, e cila siguron një kornizë për përdorimin e fondeve nga plani ekonomik dhe investues për Ballkanin Perëndimor me vlerë 9 miliardë euro”, tha ajo.

Po ashtu është shprehës se masat e hershme të integrimit, në kontekstin e metodologjisë së rishikuar të pranimit në BE, “mund të arrihen më mirë përmes një tregu të përbashkët rajonal”, ka thëne ajo.

Sipas Kordiç, kjo është një iniciativë “më gjithëpërfshirëse” sesa Open Balkan.

Open Balkan

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, homologu i tij maqedonas, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të enjten e 29 korrikut u mblodhën në Shkup për Forumin Ekonomik të Bashkëpunimit Rajonal.

Krerët konkretizuan dy marrëveshje të reja, në kuadër të implementimit të katër lirive themelore të Bashkimit Evropian.

Dy marrëveshje të reja dhe një memorandum, i cili do të nënshkruhet përfundimisht në një vend të dytë, u firmosën nga tre krerët e tre shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Marrëveshja e parë dhe më e rëndësishme është ajo e tregtisë së lirë midis tre vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në vitin 2023 do të hyjë në fuqi kalimi tërësisht i lirë i qytetarëve dhe mallrave midis Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Korsi të shpejta” do të quhen pikat e dedikuara doganores, për të lejuar lëvizjen e lirë midis tre shteteve. Pritet që janari i vitit 2023 të faktojë marrëveshjen dhe të lejojë lëvizjen e lirë.

Marrëveshja e dytë është ajo në kuadër të “agjendës së gjelbër”.

Në të përfshihet mbrojtja dhe shpëtimi nga katastrofat natyrore për Ballkanin Perëndimor. Kjo agjendë synon njëkohësisht njehsimin me atë evropiane.

Memorandumi i përket lirisë së punës në tre vendet. Për shkak se Serbia dhe Maqedonia e Veriut ende nuk e kanë përshtatur legjislacionin me atë të Shqipërisë, pritet që ky memorandum të kthehet në marrëveshje, pasi dy vendet e tjera ta kenë përafruar ligjin.

Kur më pas të kthehet në marrëveshje dhe të hyjë në fuqi, qytetarët e tre vendeve nuk do të kenë më pengesa në gjetjen e punës midis tre shteteve. Pra, një koncept tërësisht identik me atë të Bashkimit Evropian.

Marrë nga European Western Balkans, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore