Shqipëria

Raporti i KE-së, fokus zbatimi i reformave themelore


Komisioni Evropian të martën e 19 tetorit ka miratuar Paketën e tij të Zgjerimit për vitin 2021, duke siguruar një vlerësim të detajuar të gjendjes dhe përparimit të bërë nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia drejt Bashkimit Evropian (BE).

Fokusi i është dhënë zbatimit të reformave themelore të realizuara deri më tani si dhe vijimit të tyre në të ardhmen.

Përfaqësuesi i lartë  BE-së, Josep Borrell, e ka cilësuar raportin e sotëm si një vlerësim i detajuar i përparimit të bërë nga këto vende.

“BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor”, u shpreh ai.

Sundimi i ligjit, liritë themelore, ekonomia dhe funksionimi i institucioneve demokratike është metodologjia e ndjekur nga KE-ja për ndërtimin e këtij raporti.

Paketa e këtij viti u paraqit nga Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, i cili u shpreh se “politika e zgjerimit është një investim gjeostrategjik për paqen, stabilitetin, sigurinë dhe rritjen ekonomike”.

Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi

Sipas tij, BE-ja po qëndron pranë Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë me mbështetje të konsiderueshme financiare përmes Instrumentit të ri për Asistencën e Para-anëtarësimit (IPA III).

Në raport theksohet se vizita e fundit e Presidentes së KE-së,  Ursula von der Leyen në rajon dhe Samiti BE-Ballkan Perëndimor i mbajtur më 6 tetor  në Brdo, dërgoi një sinjal të rëndësishëm se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron brenda Bashkimit Evropian.

“Shqipëria i ka përmbushur kushtet për hapjen e negociatave dhe realizuar reforma thelbësore për rrugën e saj drejt BE-së”, shkruhet në raport.

Në këtë të fundit, sqarohet se vonesat në nisjen zyrtare të negociatave të pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut kanë një ndikim negativ në besueshmërinë e BE-së.

Prandaj, çështjet dypalëshe në pritje midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet të shihen si çështje prioritare.

Në këtë mënyrë aty shkruhet se Konferenca e Parë Ndërqeveritare duhet të mbahet brenda vitit.

Reforma në Drejtësi në Shqipëria, ka pasur një efekt pozitiv në rrugën shqiptare drejt BE-së, por në raport shkruhet se duhet të vijojë lufta kundër korrupsionit.

Nga ana tjetër, zgjedhjet e zhvilluara më 25 prill të 2021-it, janë shpallur të rregullta.

Kosova, përmbushje të standardeve për liberalizimin e vizave

Nga shteti i Kosovës kërkohet një zbatim i plotë dhe efektiv i planit të veprimit të reformës gjatë periudhës së ardhshme.

Komisioni në vlerësimin e tij ka konstatuar se Kosova ka përmbushur të gjitha standardet për liberalizimin e vizave, por propozimi është ende në pritje në Këshillin Evropian.

Në raport shkruhet se kjo duhet trajtuar si një çështje urgjente.

Gjithashtu aty theksohet se administrimi i përgjithshëm i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadalshëm, joefiçient dhe i prekshëm nga ndikimi i parregullt politik.

Serbia, vazhdim të reformave kundër krimit të organizuar

Sipas vlerësimit të Komisionit, Serbia duhet të vazhdojë dhe të përshpejtojë reformat mbi pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e medias, trajtimin e krimeve të luftës dhe luftën kundër krimit të organizuar.

“Përparimi në sundimin e ligjit dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën është thelbësor dhe do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave të pranimit”, shkruhet në raport.

Komisioni ka bërë me dije se e mbështet ambicien e Serbisë për të hapur më parë negociatat.

Raporti vë në dukje se Serbia nuk ka bashkëpunuar me Mekanizmin Ndërkombëtar për Gjykatat Penale në Hagë për të arrestuar dy politikanë nacionalistë të Partisë Radikale Serbe, të cilët kërkohen për gjykim.

Kjo pasi ata u akuzuan për shpërfillje të gjykatës së Hagës për krimet e luftës.

Mali i Zi, më shumë përpjekje për çështjet e pazgjidhura

Mali i Zi duhet të intensifikojë më tej përpjekjet e tij për të adresuar çështjet e pazgjidhura.

Këtu përfshihen fusha kritike si, liria e shprehjes dhe lirisë e medias, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe sundimi i ligjit.

Komisioni ka përmendur se Mali i Zi ka siguruar një ekuilibër të përgjithshëm.

Dritan Abazoviç në deklaratën e tij për media: Lufta kundër korrupsionit në Mal të Zi ka filluar
Bosnjë dhe Hercegovinë, mjedisi politik po ndikon negativisht

Ndryshe nga raporti për vendet e tjera, në Bosnjë dhe Hercegovinë, ka një stepje.

Kjo pasi mjedisi politik atje mbetet i polarizuar, pasi udhëheqësit vijojnë të përfshihen në retorikë përçarëse dhe mosmarrëveshje politike jokonstruktive.

“Bllokimi i institucioneve shtetërore dhe thirrjet për të anuluar reformat janë shqetësuese dhe mund të kapërcehen vetëm me dialog politik”, shkruhet në raport.

Megjithatë, disa hapa domethënës janë ndërmarrë, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve komunale në Mostar pas 12 vjetësh.

Turqia, interes strategjik

Turqia është cilësuar si një partner kyç për Bashkimin Evropian në fushat si migrimi, ekonomia, tregtia, energjia dhe transporti.

Dialogu dhe bashkëpunimi me Turqinë shënuan një rritje në vitin 2021.

Këshilli Evropian deklaroi në mënyrë të përsëritur se BE-ja ka një interes strategjik në Mesdheun Lindor dhe në zhvillimin e një marrëdhënie bashkëpunuese me Turqinë.

Kjo e fundit duhet të mbështesë në mënyrë aktive negociatat për një zgjidhje të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të zbatueshme të çështjes së Qipros brenda kuadrit të OKB -së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore