Shqipëria

Bosnja dhe Kosova jo në Open Balkan, pavarësisht lobimit amerikan


17 shtator 2020.

Dy anëtarë të presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, refuzuan të bëheshin pjesë e nismës rajonale të pagëzuar asokohe si “mini-Schengen” apo “Schengen rajonal” dhe të konkretizuar tashmë si “Open Balkan”.

Zheljko Komshiç, përfaqësuesi i kroatëve në presidencë dhe Shefik Gjaferoviç, përfaqësuesi i boshnjakëve në presidencë, refuzuan që ta lejojnë edhe Bosnjën, t’i bashkohet, kësaj nisme.

Kryefaqja e gazetës boshnjake Dnevni Avaz

Sipas gazetës më të madhe boshnjake, Dnevni Avaz, ambasadori amrikan në Sarajevë, Eric Nelson, ka qenë ndër ta, i cili e ka përkrahur fuqishëm nismën. Madje, ai ka lobuar me zyrtarë të lartë boshnjakë, që t’i bëjë pjesë të nismave.

Por, “Bosnja qëndroi e fjetur”, shkruan gazeta, duke konstatuar se në fakt e gjithë ideja e këtij bashkëpunimi rajonal filloi në Bosnjë.

Sipas gazetës madje, përkrahës i fuqishëm i nismës, është edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett. Por, me ardhjen në pushtet të kryeministrit Albin Kurti, iniciativës iu vendos kryqi, pa u menduar gjatë.

Kjo, pavarësisht një lobimi të Kosnett, për të cilin flet Dnevni Avaz.

Mbështetës të fuqishëm të “Open Balkan” janë edhe vendet e Bashkimit Evropian.

E qartë u bë nga Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi, më 10 qershor, gjatë Samitit të zhvilluar në Tiranë në kuadër të Western Balkan 6, se krijimi i një zone të tillë ekonomike në Ballkanin Perëndimor, është tërësisht pjesë e vizionit të BE-së.

Në marrëveshjen dhe konkretizimin e nismës më 29 korrik – përtej lobimeve – vetëm tre vende firmosën “Ballkanin e hapur 2023”.

Open Balkan (Ballkani i Hapur)

E enjta e 29 korrikut pa takimin e radhës në kuadrin e Forumit Ekonomik për Zhvillimin Rajonal.

Marrëveshja kryesore e firmosur, ishte ajo e cila parasheh se prej janarit të vitit 2023, midis Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, kufijtë do të ekzistojnë vetëm në hartë.

Marrëveshja për kalimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, është ajo më e rëndësishme e firmosur deri më tani nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, homologu i tij maqedonas, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Në vitin 2023, ajo merr formën konkrete dhe përfundimtare.

“Korsi të shpejta” do të quhen pikat e dedikuara doganores, për të lejuar lëvizjen e lirë midis tre shteteve.

Po aq i lirë, do të jetë edhe tregu i punës. Pengesa e vetme është ndryshimi i legjislacionit nga ana e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Për këtë shkak është nënshkruar thjesht një memorandum bashkëpunimi mbi çështjen.

Me ndryshimin e legjislacionit nga ana e dy shteteve të tjera, do të vijojë edhe nënshkrimi i marrëveshjes përfundimtare.

Përafrimi i “agjendës së gjelbër” ka qenë gjithashtu pjesë e Forumit Ekonomik të Bashkëpunimit rajonal, i mbajtur sot në Shkup.

Nëpërmjet një marrëveshjeje të nënshkruar mbi mbrojtjen dhe shpëtimin nga katastrofat natyrore për Ballkanin Perëndimor, është synuar një përafrim – më pas njehsim – i agjendës së gjelbër me atë evropiane.

Brenda vitit ndërkaq, pritet përmbyllja tërësore e koncept-projektit dhe konkretizimi i tij.

Sytë nga e ardhmja

“Ky rajon nuk mund të mbetet më peng i të shkuarës, në asnjë aspekt. Ne nuk jemi karikaturë ballkanike e BE-së”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë një mesazh të vetëm gjatë Forumit Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal, i cili u zhvillua në Shkup: “Duhet të vrapojmë, për të fituar kohën e humbur”.

Koncepti i njohur si Schengen rajonal është më pranë se kurrë. Këtë e kanë konfirmuar edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Ky i fundit madje ka pohuar me ambicie se 1 janari 2023 do t’i shohë të tre vendet pa kufij.

Rama, ndërkaq, është treguar i qartë kur ka thelbësuar se projektimi i të ardhmes së Ballkanit është parësor. Brenda vitit të ardhshëm, sipas tij, do të ketë njehsim tërësor të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Kjo, e shoqëruar me integrimin e pagesave të TVSH-së në vendet brenda marrëveshjeve.

Bazat mbi nismën janë ato të treguesve nga Banka Botërore sipas Ramës.

“Nëse duam të rrisim ekonominë, të vetëm rritemi me 2.5%. Nëse kemi marrëveshje, në 6.7%”.

Kjo është e vërteta e kryeministrit shqiptar, i cili “nuk e kupton skepticizmin e tre vendeve të tjera ballkanike, të cilat nuk pajtohen me nismën”.

“Iniciativat e Novi Sadit”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ishte pjesëmarrës në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal, që u mbajt në Maqedoninë e Veriut.

Por për Qeverinë e Kosovës iniciativa e “Open Balkan”, është nismë pa vizion për rajonin.

Kështu është thënë përmes një përgjigje me shkrim nga zyra për media e Qeverisë së Kosovës për Albanian Post, duke shtuar se “qëndrimet e qeverisë për idenë e të ashtuquajturës ‘mini-Shengen’, tashmë janë të njohura”.

“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në përgjigje.

Jo ekskluziv, inkluziv

“Të tre ne e kemi thënë dhe rithënë se kjo nismë nuk është ekskluzive, por inkluzive. Nuk është përjashtuese, por gjithëpërfshirëse”.

Kjo do të ishte tematika kryesore e konferencës për shtyp midis tre liderëve ballkanikë, pas nënshkrimit të marrëveshjeve dhe memorandumit.

Ata falënderuan njëri-tjetrin për ndihmat që i kanë ofruar njëri-tjetrit.

Ndërkohë Rama kujtoi se në Tiranë ishin të gjashtë vendet e rajonit.

Ndërsa, për komentin zyrtar nga Qeveria e Kosovës, ai kishte vetëm një përgjigje:

“Boll me na ftuan s’na ftuan, ishim në Tiranë të gjashtë. Disa duan, disa s’duan. Demokraci pa to është shumë e vështirë ta kesh, politika më e mirë është bashkëpunimi, afrimi, ekonomia dhe rinia”.

Më tej, kreu i qeverisë shqiptare theksoi faktin se “kjo nismë u thotë popujve dhe bizneseve që ju jeni të barabartë, përtej faktit në nivel qendror dhe institucional. Kjo e fundit ka një rrugë tjetër”.

E më pas?

“Open Balkan” është tashmë nismë zyrtare, me emër, me marrëveshje konkrete në fushën e lehtësimit të bashkëveprimit në Ballkanin Perëndimor.

Përtej faktit se vetëm tre shtete janë iniciatore, rruga është e hapur për më shumë.

Kartat janë të shpalosura dhe ftesat të hapura.

Vetë Bashkimi Evropian ka qenë një koncept i iniciuar në të tillë mënyrë dhe më pas i zgjeruar e zgjeruar deri në ditën e sotme.

Ndaj, nuk përjashtohet fakti se “Open Balkan”, mund të shohë një zgjerim – edhe përtej Ballkanit Perëndimor.

Sipërmarrës nga Kroacia e Greqia kanë qenë të pranishëm në takime. Të dyja këto, vende të BE-së. Vende, të cilat shohin volitshmëri nëse bëhen pjesë e këtij skenari.

Për këtë shkak, ftesat kanë shkuar edhe për vendet e tjera ballkanike, të cilat janë pjesë e unionit.

Me tre porta deri më tani, “Open Balkan” mund të hapet edhe më tej.

Por, funksionalitetin, do ta tregojë vetëm koha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore