Lajme

Uria po i vret fëmijët afganë


Është e dhimbshme.

Në Afganistan, prindërit u japin fëmijëve të tyre të uritur medikamente për t’i përgjumur. Kurse të tjerë, kanë shitur vajzat dhe organet e tyre për të mbijetuar.

Në dimrin e dytë që kur talebanët morën pushtetin dhe fondet e huaja u ngrinë, miliona njerëz janë vetëm një hap larg urisë.

“Fëmijët tanë vazhdojnë të qajnë dhe ata nuk flenë. Ne nuk kemi ushqim. Kështu që shkojmë në farmaci, marrim tableta dhe ua japim fëmijëve që të përgjumen”, ka thënë Abdul Wahab.

Ai jeton pak jashtë Heratit, qyteti i tretë më i madh i vendit, në një vendbanim me mijëra shtëpi të vogla balte, të mbushura me njerëz të zhvendosur dhe të goditur nga lufta dhe fatkeqësitë natyrore.

Shumë prej tyre, thuajse të gjithë prej tyre, u japin fëmijëve të tilla medikamente.

Ghulam Hazrat ka treguar se barnat e dhëna janë alprazolam, një qetësues që zakonisht përdoret për të trajtuar çrregullimet e ankthit.

Ghulam ka gjashtë fëmijë, më i vogli një vjeç. Ai ia jep edhe atij.

Ndërsa të tjerë kanë treguar se u japin fëmijëve escitalopram dhe sertraline. Ato zakonisht përdoren për të trajtuar depresionin dhe ankthin.

Sipas mjekëve, kur ato u jepen fëmijëve të vegjël të paushqyer mund të shkaktojnë dëmtim të mëlçisë, së bashku me një sërë problemesh të tjera si lodhja kronike, gjumi dhe çrregullime të sjelljes.

OKB-ja ka paralajmëruar se atje po shpaloset një “katastrofë” humanitare.

Shumica e burrave në zonën jashtë Heratit punojnë si punëtorë me pagë ditore. Ata kanë vite që bëjnë jetë të vështirë.

Por kur talebanët morën pushtetin gushtin e kaluar, pa asnjë njohje ndërkombëtare për qeverinë e re de facto, fondet e huaja që derdheshin në Afganistan u ngrinë.

Çka ka shkaktuar një kolaps ekonomik që i ka lënë burrat pa punë në shumicën e ditëve.

Në ditët e rrallë që gjejnë punë, ata fitojnë pak më shumë se 1 dollarë.

Ka edhe më keq se kaq. Njerëzit e atjeshëm janë detyruar të ndërmarrin hapa ekstreme për të shpëtuar familjet nga uria.

Njëri prej tyre është Ammar. Ai ka kryer një operacion për të hequr veshkën e tij tre muaj më parë.

Ai është në të njëzetat, në atë që duhet të ishte kulmi i jetës së tij.

“Nuk kishte rrugëdalje. Kisha dëgjuar se mund të shisje një veshkë në një spital lokal. Shkova atje dhe u thashë se doja ta bëja këtë. Disa javë më vonë mora një telefonatë që më kërkoi të shkoja në spital”.

“Ata bënë disa analiza, më pas më injektuan diçka që më bëri të pavetëdijshëm. Isha i frikësuar, por nuk kisha zgjidhje tjetër”.

Atij iu dhanë afro 3 mijë e 100 dollarë, shumica e të cilave shkuan për të shlyer paratë që ai kishte marrë hua për të blerë ushqim për familjen e tij.

“Nëse hamë një natë, nuk hamë tjetrën. Pas shitjes së veshkës, ndihem sikur jam gjysmë njeriu. Ndihem i pashpresë. Nëse jeta vazhdon kështu, mund të vdes”.

Shitja e organeve për para nuk është e padëgjuar në Afganistan. Dikur ndodhte edhe para pushtimit të talebanëve.

Por tani, edhe pasi kanë bërë një zgjedhje kaq të dhimbshme, njerëzit ende nuk mund të gjejnë mjetet për të mbijetuar.

Ka edhe prindër që shesin vajzat e tyre.

“E shita vajzën time pesëvjeçare”, ka pranuar Nizamuddin.

Dinjiteti me të cilin jetonin është thyer nga uria.

“E kuptojmë se është kundër ligjeve islame dhe se po vëmë jetën e fëmijëve tanë në rrezik, por nuk ka rrugë tjetër”.

Rritja marramendëse e normave të kequshqyerjes është dëshmi e ndikimit që uria ka te fëmijët nën moshën pesë vjeç në Afganistan.

Njerëzit kanë treguar se ndihen të braktisur, nga qeveria talebane dhe komuniteti ndërkombëtar.

Uria është një vrasës i ngadaltë dhe i heshtur, efektet e së cilës nuk janë gjithmonë të dukshme.

Larg vëmendjes së botës, shkalla e krizës në Afganistan nuk mund të dalë kurrë në dritë sepse askush nuk po e llogarit.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore