Lajme

Uragani i fuqishëm Ida godet Gjirin e Meksikës


Uragani Ida mbërrin në Luiziana

Një stuhi e rrezikshme e kategorisë katër, Uragani Ida, ka goditur shtetin Luiziana, në pjesën veriore të Gjirit të Meksikës. Kjo goditje ka përkuar dhe me 16-vjetorin e shkatërrimit që solli në këtë qytet Uragani Katrina.

Nga Qendra Kombëtare Amerikane e Uraganeve thanë se Ida, pasi arriti vijën bregdetare, solli erëra me shpejtësi deri në 240 kilometra në orë.

Presidenti Joe Biden vizitoi sot shtabin e Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave (FEMA).

Ai tha se qeveria federale po përgatitet për më të keqen dhe se ndoshta do të duhen javë të tëra për disa zona që t’u rikthehet energjia elektrike pas uraganit.

Presidenti Biden u bëri thirrje njerëzve për kujdes maksimal.

“Dua ta theksoj përsëri, ky do të jetë një uragan shkatërrues dhe (shumë) shkatërrues, një stuhi kërcënuese për jetën. Prandaj ju lutemi, të gjithë juve në Misisipi dhe Luiziana… dhe Zoti e di, ndoshta edhe më në lindje, merrni masa paraprake. …Merreni seriozisht, vërtet shumë seriozisht”, tha presidenti.

Paralajmërimet për rrezikshmërinë e uraganit ishin në fuqi për Intracoastal City, Luiziana, në grykëderdhjen e Lumit Pearl, si dhe në Liqenin Pontchartrain, në Liqenin Maurepas dhe qytetin metropolitan New Orleans.

Më 29 gusht 2005, Uragani Katrina mbërriti në bregun e Luizianas si një stuhi e kategorisë 3. Katrina shkaktoi 1 mijë e 800 viktima, çau argjinaturën mbrojtëse dhe solli përmbytje shkatërrimtare në Nju Orlins.

Që nga ajo kohë, sistemi federal i argjinaturave të qytetit është përmirësuar.

Përpara mbërritjes së Ida-s, Guvernatori i Luizianës, John Bel Edwards, paralajmëroi ata që gjenden në trajektoren e saj që të përgatiteshin për t’u strehuar, në vend që të përpiqeshin të evakuoheshin.

“Nëse jeni në trajektoren e Uraganit #Ida, puna juaj e vetme tani është të qëndroni të sigurt aty ku jeni. Gjeni vendin më të sigurt në shtëpinë tuaj, kalojeni stuhinë aty dhe qëndroni atje derisa stuhia të jetë larguar”, shkruante ai në Twitter.

Guvernatori Edwards shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe tha se 5 mijë forca të Gardës Kombëtare ndodhen në gatishmëri përgjatë bregdetit për përpjekjet e kërkim-shpëtimit.

Për më tepër, 10 mijë punonjës të linjave elektrike janë në gatishmëri për t’iu përgjigjur ndërprerjeve sapo të kalojë stuhia.

“Do përplaset te ne drejtpërdrejt”, tha Bebe McElroy për agjencinë e lajmeve Associated Press, ndërsa përgatitej të largohej nga shtëpia e saj në fshatin bregdetar të Luizianës, Cocodrie.

“Unë thjesht sillem rrotull duke u lutur, duke thënë: ‘Zot i dashur, vetëm kujdesu për ne'”.

Kryebashkiakja e Nju Orlinsit, LaToya Cantrell, urdhëroi njerëzit që jetojnë jashtë sistemit mbrojtës të qytetit, të evakuohen.

“Trajektorja e parashikuar tregon se është drejtuar drejt Nju Orlinsit. Jo mirë”, tha Jim Kossin, shkencëtar në “The Climate Service”, një kompani private konsulence.

Nga juglindja e Luizianës deri në Misisipi dhe Alabama, reshjet totale mund të shkojnë nga 20 – 40 centimetra, me më shumë se 50 centimetra të mundshme në disa zona, tha shërbimi qeveritar i motit.

Shirat e dendur dhe stuhitë mund të shkaktojnë përmbytje të përhapura në zonë.

Në Alabama, Guvernatorja Kay Ivey shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për zonat bregdetare dhe perëndimore në këtë shtet.

Spitalet, në zonat që shtrihen në veriore të Gjirit të Meksikës, tani përballen me fatkeqësi natyrore, pasi po luftojnë me një rritje të pacientëve me COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga coronavirusi, për shkak të variantit shumë ngjitës Delta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore