Shqipëria

“Unë jam, unë do t’ia dal”


“Unë jam, unë do t’ia dal”.

Ky është mesazhi i forcës dhe sprovës njerëzore për sensibilizimin në Ditën Botërore të Luftës Kundër Kancerit.

Data 4 shkurt përkon me përcjelljen e informacioneve në lidhje me rritjen e ndërgjegjësimit.

Kjo, sa i takon parandalimit, zbulimit të hershëm apo trajtimit të kësaj sëmundjeje.

Sëmundja e kancerit konsiderohet si një ndër 100 sëmundjet më të përhapura në popullatën globale.

Madje, për fat të keq është një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në të gjithë botën.

Në shenjë ndërgjegjësimi të llojeve të shumta të kancerit, ka ngjyra dhe simbole të ndryshme që përdoren për të nxitur luftën kundër tij.

Fjongoja portokalli, për shembull, u ideua për krijimin e vetëdijes për kancerin tek fëmijët. Ndërsa shiriti rozë lidhet globalisht me ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit.

Sipas studimeve të fundit, të paktën 1/3 e sëmundjeve kancerogjene mund të parandalohen.

Në këtë ditë të rëndësishme, mjekët specialist bëjnë apel që pacientët të kenë parasysh disa këshilla.

Kjo, për të ulur sa më shumë riskun nga prekja e saj.

Rreth 9.6 milionë njerëz vdesin çdo vit nga kjo sëmundje dhe ky numër parashikohet të dyfishohet deri në vitin 2030.

Shqipëria rrit shërbimet

Duke iu referuar Shqipërisë, sipas shifrave të institucioneve shëndetësore, në Spitalin Onkologjik trajtohen rreth 15 mijë pacientë, çdo vit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, është angazhuar shpesh në fushatat e ndërgjegjësimit kundër kësaj sëmundjeje.

Që prej vitit 2021, në vendin tonë janë shtuar shtatë qendra trajtimi me kimioterapi edhe në spitalet rajonale.

Ndërsa që prej vitit 2018 është dyfishuar numri i të sëmurëve që marrin trajtim.

90% e sëmundjeve kancerogjene në vendin tonë janë menaxhuar dhe trajtuar nga sistemi shëndetësor publik.

Dhimbja e papërshkrueshme

Thonë që princeshat i kanë flokët e gjata. Ashtu jemi mësuar t’i shohim, në filma vizatimorë.

Por, vjen një çast kur jeta ndal dhe të duhet të përballesh me të pamenduarën, me të papriturën.

R. Gj., ishte 55 vjeçe kur u përball me kancerin e gjirit.

Ajo shprehet për Albanian Post se rënia e flokëve ishte “një nga dhimbjet më të mëdha që kishte ndjerë”.

“Asnjëherë nuk e kisha menduar veten pa flokë. E imagjinoni dot? Pa flokë!”, rrëfen ajo.

Pas tri javësh kimioterapi, ajo nuk guxonte të dilte përpara pasqyrës, por edhe “para botës”.

Të jetuarit në periferi të Shqipërisë, është sfiduese për shumë vajza dhe gra, të cilat përballen me kancerin e gjirit. Këtë e konfirmon dhe vetë R.Gj.

“Gjithmonë e kam urryer ndjenjën e mëshirës. Në qytetin ku jetoj, njihemi të gjithë me njëri-tjetrin. Dhe të shohin ndryshe. Vetëm tri javë pas seancës së parë të kimioterapisë, mbeta pa flokë”.

E pyetur për trajtimin e saj me kimioterapi dhe me radioterapi, ajo tha se shërbimi që prej ditës së parë nuk ka munguar nga Spitali Onkologjik.

Përveç kësaj ajo rrëfeu se po të kishte nisur kontrollet më herët, ndoshta nuk do e kishte përjetuar dhimbjen e rënies së flokëve.

Kjo, pasi ajo kishte kaluar tre vite me sëmundjen në trup, që prej momentit që kishte arritur ta dallonte me anë të prekjes.

Por, për AP-në ajo rrëfen që në janar ka bërë tre vjet që kur hoqi njërin gji.

Lufta kundër kancerit që kishte në një pjesë të trupit s’ka qenë e lehtë për të, ama sot ajo e ka fituar betejën.

Mesazhi i saj ishte i qartë: Unë ia dola!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore