Euro 2020

Ukraina prezanton fanellat për “Euro 2020”, në hartën e saj përfshihet edhe Krimea


Kombëtarja e Ukrainës në futboll, ka prezantuar fanellat që do të mbajë veshur në Kampionatin Evropian “Euro 2020”.

Në fanellat e Ukrainës, është vendosur slogani “Lavdi Ukrainës”, i cili përreth saj është zbukuruar me hartën e këtij shteti, që përfshinë edhe Krimenë e aneksuar nga Rusia.

Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë në vitin 2014 nga Ukraina dhe tashmë e konsideron territor të vetin edhe pse kjo gjë është refuzuar ndërkombëtarisht.

Në një deklaratë të UEFA-s për BBC thuhet se “Fanella e ekipit kombëtar të Ukrainës sikurse të gjitha kombëtareve tjera për Kampionatin Evropian ‘Euro 2020’, është aprovuar në përputhje me rregulloret në fuqi të UEFA-s”.

Kjo ngjarje ka ngjallur reagime të shumta nga ana e rusëve, sipas asaj që raporton BBC, një deputet nga Rusia, kishte quajtur këtë verpim si “provokim politik”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, kritikoi fanellat e Ukrainës duke thënë se ekipi ukrainas “kishte bashkangjitur territorin e Ukrainës në Krime të Rusisë, duke krijuar iluzionin e së pamundurës”.

Gjithashtu ajo tha se “parulla ishte nacionaliste dhe i bëri jehonë një thirrjeje naziste”.

Edhe deputeti Dmitry Svishchev e quajti fanellën krejtësisht të papërshtatshme dhe u kërkoi organeve të UEFA-së që të ndërmarrin masa.

Kujtojmë që Kampionati Evropian do të organizohet në 11 qytete të ndryshme evropiane, përfshirë edhe Shën Petersburgun.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore