Bota

Trump mund të falë protestuesit e Capitol-it


Ka një shqetësim në radhët e zyrtarëve të lartë në SHBA se presidenti, Donald Trump, mund të falë protestuesit që mësynë dhe bastisën Capitol-in.

Mbi 50 persona janë ngarkuar me akuza nga prokuroria e distriktit të Columbia-s. Shqetësimi qëndron në faktin se disa prej tyre mund të shpëtojnë nga akuzat. Madje, ata mund të falën nga presidenti Trump, falë fuqisë që posti i tij ka.

“Me Donald Trump nuk i dihet asnjëherë”, deklaroi ish zëvendësprokurori i SHBA-së, Glenn Kirschner.

Ligjvënësit gjithashtu janë të shqetësuar mbi çfarë mund të bëjë Trump në dhjetë ditët e fundit të mbetura.

Kryekongresmenja Nancy Pelosi, i ka quajtur terroristë protestuesit pro-Trump. “Po sikur ai të falë terroristët që bastisën Capitol-in?”, deklaroi Pelosi për CNN-in.

Ligjvënësit amerikanë, nga ana tjetër, kërkojnë shkarkimin e Trump-it. Disa prej tyre, kanë bërë me dije se do t’i kërkojnë Kongresit të hënën shkarkimin e Trump-it. Mundësitë për ta arritur këtë gjë, gjithsesi, janë të pakta.

Trump ende nuk ka bërë me dije nëse do të përdorë fuqinë e tij për faljen e protestuesve apo jo. E vetmja deklaratë pas bastisjes së Capitol-it, lidhet me dënimin që ai i ka bërë akteve. Trump në video mesazh, deklaroi se dhunuesit duhet të përgjigjen përpara drejtësisë.

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden, ka reaguar duke dënuar aktet e protestuesve. Deklaratat e tij, kanë qenë të lidhura me vënien sa më të shpejtë përpara drejtësisë, të të gjithë dhunuesve të tempullit të demokracisë amerikane./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore