Shqipëria

Transportonin emigrantë të paligjshëm, katër në pranga njëri punonjës i Gardës


Policia e Pogradecit, të hënën e 6 shtatorit, ka arrestuar në flagrancë dy shtetas, ku njëri prej të cilëve me detyrë punonjës i Gardës së Republikës, pasi po transportonin pesë emigrantë të paligjshëm.

Ndërsa policia shpalli në kërkim një tjetër, që po transportonte 40 emigrantë të paligjshëm dhe nuk iu bind urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar.

Përkatësisht në vijim të operacionit “Perimetri”, u arrestua shtetasi D. K., 50 vjeç – me detyrë punonjës i Gardës së Republikës – dhe A. M., 59 vjeç.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin këta shtetas po ndiqnin itinerarin Pogradec-Prrenjas dhe u ndalën nga policia për kontroll në dalje të qytetit të Pogradecit.

50-vjeçari ishte drejtuesi i mjetit tip “Chevrolet”, me të cilën po transportoheshin emigrantë. Këta të fundit kundrejt shpërblimit do t’u jepej ndihma për kalim drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Gjithashtu nga shërbimet e Policisë Rrugore, në aksin Korçë-Ersekë, u konstatua mjeti tip furgon i markës “Iveco”, drejtuesit së të cilit, punonjësit e policisë i bënë me shenjë të ndalonte, por ai nuk iu bind urdhrit të tyre.

Ky i fundit u largua me shpejtësi duke e braktisur mjetin në afërsi të fshatit Drenovë, Korçë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, u konstatuan 40 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt shpërblimit iu ishte premtuar kalimi drejt vendeve të BE-së.

Në vijim të veprimeve hetimore polica e Korçës shpalli në kërkim dhe po punojnë për kapjen e shtetasit A. C., 35 vjeç.

Po ashtu dhe në Qarkun e Gjirokastrës kanë rënë në prangat e policisë dy persona. Përkatësisht shtetasi S. G., 31 vjeç dhe E. B., 44 vjeç.

Këta të fundit në bashkëpunim me njëri-tjetrin po ndiqnin itinerarin Pogon-Zagorie. Me mjetin tip ‘Suzuki” dhe “Mitsubishi”, po transportonin 21 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjetet dhe dy aparate celular.

Ndërkohë materialet i kanë kaluar Prokurorive të Rretheve Gjyqësore përkatëse për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore