Lajme

“Të ngrihet çështja e shqiptarëve të Preshevës në bisedime me Serbinë”


Kryetari i partisë politike në Kosovë “Lëvizja për Bashkim”, Valon Murati

Kryetari i partisë politike në Kosovë “Lëvizja për Bashkim”, Valon Murati, ka kërkuar që Kosova të ngrit çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë.

Ai përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se Kosova “duhet të dal nga rrethi vicioz i bisedimeve me Serbinë, vetëm për çështjet e Kosovës, të pozitës së serbëve në veri apo edhe për vendimet legjitime të qeverisë së saj”.

“Rruga e vetme për të dal nga ky rreth vicioz është që të shtrohet çështja e shqiptarëve në Kosovën Lindore, duke u bazuar në parimin e reciprocitetit”, ka shkruar ai.

Madje, Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur si “proponente e status-quos së zgjedhjeve të guximshme”.

“Me Serbinë duhet shtruar me guxim zgjidhja e problemit politik në mes të dy vendeve. Po për këtë duhet goxha guxim politik e vizion për të ardhmen. Nuk ka zgjidhje populliste në këtë drejtim. Por ka zgjidhje që na e hapin rrugën e përparimit dhe zhvillimit”, shtoi ai.

Ndërkaq, dy ditë më parë, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, përmes një postimi në Facebook, idenë e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për mbylljen e kufirit për shqiptarët e Luginës së Preshevës, përkatësisht pikën kufitare Dheu i Bardhë – Konçul, e ka quajtur fashizëm të pastër serb.

Shaip Kamberi – Deputet në Kuvendin e Serbisë

“Ideja për mbylljen e kufirit në Konçul është fashizëm i pastër. Nëse me të vërtetë ekziston ideja për mbylljen e kufirit në Konçul, atëherë mund ta paramendoj kush edhe është autori i saj. Por, është fakt që ‘nëpërmjet parandalimit të saj’, Vuçiç po e paraqet vetën si paqeruajtës i Ballkanit”, ka shkruar Kamberi.

Ai theksoi se me këtë do të merrte fund edhe nisma për “Open Balkan”, të cilën e kanë firmosur Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

“Në thelb ato nuk do të ishin masa represive vetëm ndaj popullsisë civile, por edhe atak i drejtpërdrejtë ndaj idesë së Ballkanit të Hapur me të cilën Vuçiç po krenohet. Në fakt, kjo ide e mbylljes së kufirit në Konçul vetëm për shqiptarët, do të ishte edhe fundi i Open Balkan”.

Ndërkaq, gjatë të mërkurës së 29 shtatorit, po vazhdon takimi në Bruksel në kuadër të dialogut.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, përmes një postimi në Twitter bëri të ditur se ka zhvilluar takime ndarazi me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin, dhe negociatorin e palës serbe, Petar Petkoviç.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak me me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin

“Këtë mëngjes, pata dy takime të ndara me Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar zgjidhje të krizës së tashme. Bisedimet tona do t’i vazhdojmë gjatë tërë ditës”, ka shkruar Miroslav Lajçak.

Edhe Zëvendësndihmës sekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, ka takuar zëvendëskryeministrit Bislimi dhe Petkoviçin, të cilëve u ka kërkuar që tensionet mes dy vendeve duhet t’i ulin menjëherë.

Zëvendësndihmës sekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar

Escobar u ka kërkuar dy negociatorëve që me urgjencë të zgjidhet çështja e targave për automjete dhe palët t’i rikthehen tavolinës së dialogut.

Çështja kryesore e lëtyre bisedimeve do të jetë situata e fundit, ku do të tentohet të gjendet një rrugëdalje dhe të vendoset si do të vazhdohet me kërkesën e Kosovës për reciprocitet me targat.

Në këtë raund pritet të jepet një zgjidhje dhe të arrihet një pajtim për targat dhe kalimet e dyanshme të veturave në këto pika kufitare. Veç kësaj teme, do të bisedohet edhe për disa çështje të tjera, që lidhen me këtë situatë të krijuar në pikat kufitare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore