Shqipëria

Të dyja sulmet kibernetike në një dosje hetimore, thotë Prokuroria


Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka përfshirë në dosjen e hetimit të nisur për sulmin kibernetik ndaj portalit e-Albania edhe sulmin e fundit kibernetik ndaj sistemit TIMS.

Ky i fundit rregullon hyrje-daljet në Republikën e Shqipërisë.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedimin penal për veprat penale: “Përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja në Sistemet kompjuterike” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.

Referuar njoftimit të Prokurorisë, objekti i hetimit është sulmi kibernetik ndaj institucionit shtetëror të AKSHI-it që përmbledh gjithë faqet zyrtare qeveritare në Republikën e Shqipërisë.

Gjithashtu është kryer një tjetër sulm kibernetik në pajisjet dhe sistemet që administrohen dhe menaxhohen nga Ministria e Brendshme në Shqipëri.

Duke qenë se janë kryer me të njëjtën tipologji dhe sulmi kibernetik ka ardhur nga i njëjti burim, veprimet po hetohen në një dosje të vetme.

Prokuroria, si në momentin e sulmit të parë ashtu edhe në sulmin e dytë, ka ndërmarrë veprime të menjëhershme duke operuar me vendimmarrjet urgjente që ka diktuar dinamika e veprimeve.

Sakaq, prokuroria ka kryer një sërë veprimesh hetimore, duke përfshirë dërgimin e kërkesës për ndihmë juridike në disa shtete.

Dhe hetimet në lidhje me këto raste po vijojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore