Lajme

Sveçla: Janë identifikuar sulmuesit e gazetarit Valon Syla, shumë shpejt do të sillen para drejtësisë


Xhelal Sveçla

Sulmuesit e gazetarit Valon Syla janë identifikuar dhe shumë shpejt ata do të sillen para drejtësisë, njoftoi të mërkurën ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.

“Institucionet e sigurisë do të vazhdojnë angazhimin për garantimin dhe respektimin e të drejtave të çdo qytetari tonë të cilat janë të pacënueshme dhe të padiskutueshme”, shkroi ai, ndërsa shtoi se demokracia e mendimi ndryshe nuk duhet të ballafaqohet me sulm të çfarëdo lloj forme.

“Sulmi ndaj kujtdo është vepër e rëndë ndërsa bëhet më i papranueshëm kur i drejtohet një gazetari, puna dhe liria e shprehjes të së cilit janë të garantuara me legjislacionin tonë dhe jo vetëm”, theksoi ministri Sveçla.

Valon Syla, gazetar dhe analist politik, është sulmuar të martën nga tre persona, duke i shkaktuar lëndime të rënda në kokë. Ndonëse ende nuk dihen zyrtarisht motivet e sulmit, gazetari Syla tha se me shumë gjasë kjo ka të bëjë me reagimet satirike lidhur me një dhuratë – një veturë të tipit Mercedes-Benz – për një hoxhë në Prizren.

Syla, i cili ka qenë viktimë e sulmeve fizike për komentet e tij edhe në të kaluarën, në disa postime në rrjetet sociale, kritikoi edhe Bashkësinë Islame të Kosovës, veçanërisht kreun e saj, Naim Tërnava, për siç tha ai, “luks” të tepruar dhe sjellje si të figurave të showbiz-it

Sulmi ndaj gazetarit Syla ka nxitur reagimin e institucioneve të vendit, partive politike, gazetarëve, diplomatëve dhe shoqërisë civile në Kosovë, të cilët e kanë dënuar ashpër rastin në fjalë.

Syla reagon pas sulmit: “Militantëve islamikë” s’po iu pëlqen humori dhe fjala e lirë – s’kemi nevojë për paqe, pa liri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore