Lajme

Syla reagon pas sulmit: “Militantëve islamikë” s’po iu pëlqen humori dhe fjala e lirë – s’kemi nevojë për paqe, pa liri


Valon Syla

Gazetari Valon Syla, i cili mbrëmjen e së mërkurës është sulmuar fizikisht nga tre persona ende të panjohur për organet e rendit, nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se “sulmi i organizuar e me paramendim” erdhi nga “militiantët islamikë”.

Syla, i cili ka qenë viktimë e sulmeve fizike për komentet e tij edhe në të kaluarën, tha se sulmi me shumë gjasë ka të bëjë me reagimet e tij lidhur me një dhuratë – një veture të tipit Mercedes-Benz – për një hoxhë në Prizren, ku i pranishëm ishte edhe Naim Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës.

“Sulmi me çdo gjase ka të bëjë me reagimet e mia rreth ‘Mulla Mercedesit’ dhe ngjarjeve në BIK, qe duket se nuk ju ka pëlqyer fare dhe kështu ka nxitur këtë komunitet të militantëve islamik të organizojnë sulm fizik të paramenduar”, shkroi Syla.

Ai ndër të  tjera grupet fetare duan ta konservojnë paprekshmërinë e tyre në emër të idesë ose besimit, ndërsa shtoi se ajo çka është edhe më shqetësuese është se, humori – shprehje artistike e cila përfaqëson të vërtetën sipas fuqisë së vet – nuk po pranohet nga ky komunitet.

“Dhe kjo nuk po pranohet nga një komunitet islamik qe sillet me tipare mesjetare dhe nuk po arrinë të pranoj humorin dhe fjalën e lirë, shpalosë te ata zymtësinë e theksuar të mendimit dhe mentalitetit të tyre”.

“Po ashtu tendenca e tyre që dhunshëm të imponohen që të arrijë objektiva të errta dhe fanatike deri në shkeljen e të drejtave më bazike të njeriut, tregon taktikën e tyre kryesore që është frikësimi i masave dhe me sulme sikur ndaj tipave si unë, mundohen ti frikësojnë të gjithë ata që janë në dy mendje”, shtoi Syla.

Kjo, sipas Sylës, tregon se predikuesit fetarë dhe hoxhallarët që nxisin dhunë e prodhojnë “militantizëm” shpërblehen me vetura nga shefat e bashkësive fetare, dhe për më tepër, siç tha ai, duke i shpërblyer pregaditen të ushtrojnë dhunë dhe frikësim te të gjithë ata që nuk i përcjellin dogmat e tyre.

“Feja është e rendësishme dhe njerëzimi nuk kishte me arritë këtu ku është pa të mirat e fesë. Po ashtu Islami thuhet se nëkupton paqe. Por jo edhe liri. Unë jam Valon Syla dhe jam libertarian me bindje. Mua dhe kosovarëve si unë nuk ju nevojitet paqja, pa liri. Kosova është e lirë. Fjala është e lirë”.

“Frikësimi i masave, dhuna dhe të gjithë ata që predikojnë kundër lirive dhe veprojnë si përcjellës të kësaj fryme fanatike, nuk janë as për paqe dhe as për liri. Ky është rreziku që po na kanoset të gjithëve si kosovarë”, përfundoi Syla.

Sulmi ndaj gazetarit Valon Syla ka nxitur reagimin e institucioneve të vendit, gazetarëve, diplomatëve dhe shoqërisë civile në Kosovë, të cilët e kanë dënuar rastin në fjalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore