Lajme

Suksesi i demokracisë së Kosovës varet nga pjesëmarrja e grave në vendimmarrje


Drejtoresha nga Institutit Kombëtar Demokratik (NDI), Nancy Soderberg, tha se suksesi i demokracisë së Republikës së Kosovës është e varur nga pjesëmarrja e grave në proceset e vendimmarrjes.

Soderberg pati kritika ndaj institucioneve të Kosovës që ende nuk e kanë pjesëmarrjen e duhur të grave.

“Në Kosovë duhet të bëjmë më shumë që të sigurojmë më shumë pjesëmarrje për gratë, kërkohet më shumë punë në gjitha nivelet e shoqërisë për të fuqizuar gratë ekonomikisht në kuptim social dhe politik dhe suksesi i demokracisë së Kosovës varet nga pjesëmarrja e plotë e barabartë e grave dhe kjo do të thotë me 50 për qind, e jo me 5 apo 10 për qind”.

“Me këtë normë nevojiten edhe 100 vjet që të arrihet kjo barazi gjinore, dhe koha është tani në mënyrë që të ndërrojë fytyra e politikës”, ka thënë Soderberg gjatë konferencës përmbyllëse të Javës së Gruas.

Edhe drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Zeinah Salahi, përmendi procesin zgjedhor të fundit, që sipas saj, shumë gra u përfshinë në garën për kryetar komune.

“Shumë gra fituan ulëse pa ndihmën e kuotës gjinore dhe kjo është shumë e mirë. Pastaj edhe në ekzekutiv kemi ministre dhe zëvendëskryeministre, por ende gratë nuk përfaqësohen barabartë në gjitha nivelet e jetës politike dhe vendimmarrje”.

“Këto arritje të cilat janë paraqitur dukshëm në nivel nacional dhe lokal, siç i pamë edhe në zgjedhjet lokale të së dielës. Mungesa e grave në listën garuese për kryetar tregon shumë që mungon barazia gjinore në institucionet lokale”, ka thënë Salahi.

Ndërsa, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, tregoi sfidat që i ka pasur për tu angazhuar në politikë. Hoxha tha se është detyruar të heq dorë nga e kaluara profesionale.

“Në momentin kur kam hyrë në parti politike është perceptuar se duhet të zhvishem nga gjithçka çka kam prezantuar nëpër vite”.

“Nuk jam më ajo Eliza e arkitekturës, e artit dhe shpesh herë më është mohuar me qenë emri im në ftesat e ekspozitave të mia dhe është fshirë vetëm se i përkas një partie politike, dhe aty e kam parë sesa paragjykues dhe sa vështirë është për një grua vetëm se i përket një partie politike”, tha ajo.

Republika e Kosovës përmes ligjit e ka rregulluar pjesëmarrjen e grave nëpër institucione dhe jetën publike, përkundër që jo krejtësisht respektohet.

Partitë politike janë të obliguara që 30 për qind të listës zgjedhore t’i kenë gra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore