Lajme

Stano: Marrëveshja është arritur, kemi pajtim edhe për implementim


Peter Stano

Çfarë dikur njihej si Propozimi franko-gjerman, apo më vonë si propozimi evropian e nganjëherë si propozimi i Bashkimit Evropian, nga data 27 shkurt duhet të quhet si marrëveshje, ka thënë Peter Stano, zëdhënësi i BE-së në konferencë për media.

I pyetur se për çfarë konkretisht janë pajtuar palët meqë kishte paqartësi, Stano tha se “Josep Borrell e ka sqaruar mjaftueshëm në konferencë pas takimit dhe ishte mjaft i qartë me deklaratën e tij, e cila u lëshua më pas dhe e cila ishte miratuar dhe rënë dakord nga të dyja palët”.

Zëdhënësi i BE-së deklaroi se “ajo që janë pajtuar palët është se s’do ketë më nevojë për diskutime të reja për Propozimin Evropian, i cili tani është Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të Kosovës dhe Serbisë”.

“Gjithashtu është arritur pajtim që palët të dyja kanë shprehur gatishmërinë e tyre që të procedojnë me implementimin e kësaj marrëveshje. Ky është pajtimi dhe për këtë po punojmë”, pohoi Stano.

“Tani do kemi takim në mars, kurse Lajçak do të udhëtojë për në Kosovë dhe Serbi. Puna nuk është kryer akoma, normalisht, por qëllimi i takimit të djeshëm ishte pajtimi rreth propozimit. Tani, ne bashkë me ta do punojmë në zbatim. Presim që të gjitha marrëveshjet të zbatohen dhe ata u pajtuan që të mos bëjnë hapa të pakoordinuar që do të vononin dinamikat e pajtuara dje”.

Ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se takimi i 27 shkurtit ishte konstruktiv dhe se sipas tij në takim u konfirmua se propozimi është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm.

Kurti ndër të tjera konfirmoi se pala serbe nuk ishte e gatshme të nënshkruante marrëveshjen, ndërsa ai po.

Megjithatë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndryshe nga Kurti deklaroi se takimi nuk kishte të bënte me pranimin apo mospranimin e propozimit, por fillimin e implementimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Kam insistuar që Kosova ta themelojë Asociacionin, Kurti ka refuzuar. Nuk mendoj se Kurti ishte gati ta pranonte këtë tani. Ne do të shohim nëse do të ndodh në të ardhmen. Shpresoj se është e mundur të arrijmë ndonjë lloj kompromisi, por kam frikë se do të ngecim në diçka që është nënshkruar shumë kohë më parë dhe është dashur të zbatohet”, tha Vuçiç.

Disa orë pas përfundimit të takimit në Bruksel, BE-ja publikoi për herë të parë tekstin e plotë të propozimit për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky propozim ka 11 nene, që synim kryesor ka të arrihet marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë mes Kosovës dhe Serbisë, mbi bazë të drejtave të barabarta.

Propozimi synon që palët të respektojnë të drejtat sovrane të njëra-tjetrës, pavarësinë, autonominë, sovranitetin, integritetin territorial, të drejtën e vetëvendosjes dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimit.

Aty po ashtu parashihet njohja e simboleve dhe dokumenteve relevante, që do të mundësonin qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave.

Sa u përket të drejtave të komunitetit serb në Kosovë propozimi parasheh mbrojtjen e tyre.

Po ashtu thuhet se duke pasur për bazë instrumentet e Këshillit Evropian dhe përvojat ekzistuese evropiane, palët do të përkushtohen që ky komunitet të ketë një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit në Kosovë, si dhe të gëzojë të drejtën e ndihmës financiare nga Serbia.

Po ashtu, me këtë propozim, palët pajtohen që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e kaluara të cilat janë derivat e dialogut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore