Shqipëria

Spiuni i dyfishtë rus që “dekonspiroi” misionin shqiptar


Më 1 janar të vitit 1912, në Indinë – ende – Britanike do të lindte Kim Philby – një nga figurat më të rëndësishme të spiunazhit gjatë Luftës së Ftohtë.

Fatet e tij me Shqipërinë do të ishin të shpallura që në fillim të herës.

Viti i tij i lindjes përkon rastësisht edhe me pavarësinë e vendit.

Emri i tij i vërtetë ishte Harold Adrian Russell Philby.

Philby do të merrte kreditet si agjenti i dyfishtë sovjetik më i suksesshëm i Luftës së Ftohtë.

Ndërsa studionte në Cambridge, Philby ndoqi tezat komuniste dhe në vitin 1933 u bë agjent sovjetik.

Ai punoi si gazetar deri në vitin 1940 kur Guy Burgess – një tjetër agjent i dyfishtë sovjetik – e rekrutoi atë në seksionin MI6 të Inteligjencës Britanike.

Kim Philby
Filxhani

Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Philby ishte bërë kreu i operacioneve të kundërspiunazhit për MI6-ën.

Nga viti 1949 veproi si shefi i tyre ndërlidhës në Washington DC.

Pikërisht në këtë post ai kreu veprimet e tij më të dëmshme të spiunazhit.

Mes spiunimeve gëlon edhe një plan i aleatëve për të dërguar antikomunistë të armatosur në Shqipëri në vitin 1950.

Kjo u pasua natyrisht nga një disfatë.

Një fotografi e bërë më 29 shtator 2017 në Moskë tregon sendet personale të agjentit britanik të KGB-së Kim Philby në ekspozitën “Kim Philby në spiunazh dhe në jetë” në Shoqërinë Historike Ruse.

Pas dyshimeve që ranë mbi figurën e tij, ai u lirua nga detyrat e tij të inteligjencës në vitin 1951 dhe u pushua nga MI6 në 1955.

Në vitin 1968 ai botoi një libër “Lufta ime e heshtur”, duke detajuar bëmat e tij.

Libri

Libri ishte pikërisht një lavd personal për dështimin e operacioneve të fshehta që Britania dhe Amerika ndërmorën midis viteve 1949 dhe 1953 për të përmbysur regjimin komunist shqiptar.

Por Philby, një spiun sovjetik në shërbimin e inteligjencës britanike, ishte vërtet i heshtur për rolin që luajti në pengimin e atyre operacioneve.

Në shekullin e kaluar, janë shfaqur informacione për rolin e zotit Philby në botime të ndryshme.

Historia e plotë e operacioneve shqiptare nuk është treguar kurrë, shkruan prestigjiozja amerikane “New York Times”.

Arsyet, sipas saj, lidhen me faktin që shërbimet sekrete britanike dhe amerikane hezitojnë të zbulojnë të gjithë të vërtetën.

Por, arsyeja pse Londra dhe Washington-i u përpoqën të përmbysnin regjimin e Enver Hoxhës ishte e qartë.

Pas qershorit të vitit 1948, Jugosllavia u përjashtua nga Kominformi (Aleanca mbikombëtare e partive komuniste marksiste-leniniste në Evropë).

Shqipëria rrjedhimisht u izolua gjeografikisht nga orbita sovjetike, duke u bërë hallka më e dobët në zinxhirin e shteteve satelitore të Stalin-it.

Ndërlidhja

Në atë kohë mendohej se Shqipëria do të ishte e lehtë për t’u kapur, duke hapur portat për dezertimin e shteteve e tjera satelite.

Oficerët britanikë që kishin operuar prapa linjave të armikut në Shqipëri gjatë viteve 1943-44, ngusnin për vijimin e operacionit.

Në pranverën e vitit 1949, Shërbimi Informativ Sekret Britanik (SIS) dhe Zyra Amerikane e Koordinimit të Politikave (OPC) morën aprovimin për të vazhduar me projektin.

Në të njëjtën kohë Philby u caktua si ndërlidhës në Washington.

Spiuni rus do të koordinonte operacionet shqiptare me OPC-në.

Pas dështimit të operacionit, përgjegjësia u mor tërësisht nga amerikanët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore