Lajme

Raisi, njeriu fetar pa karizëm që u ngjit në majat e teokracisë iraniane


Në mjegullën e maleve, iranianët presin të dinë fatin e dy figurave kryesore të teokracisë në pushtet: Presidentit Ebrahim Raisi dhe Ministrit të Jashtëm Hossein Amir Abdollahian, të përfshirë në një aksident ajror ndërsa ktheheshin nga një vizitë shtetërore në Azerbajxhan.

I lindur në Mashhad, qyteti i shenjtë ku lindi gjithashtu udhëheqësi Suprem Ali Khamenei, Raisi përfaqëson krahun më të devotshëm të Sistemit.

Djali i një kleriku shiit të margjinalizuar nga regjimi i Shahut, Raisi mbeti jetim në moshën 5-vjeçare, pikërisht në kohën e duhur për t’u bërë fryti më i pastër i Republikës teokratike të Iranit.

Në moshën 15-vjeçare u transferua në Qom, zemra e shiizmit iranian, për të studiuar.

Në shpërthimin e Revolucionit Khomeinist, Raisi ishte 19 vjeç dhe student në “Vatikanin shiit” të Qom, pak jashtë Teheranit.

Ai martohet me vajzën e Ajatollah Ahmad Alamolhodah, ultra-konservator, dhe karriera e tij merr formë në drejtësi.

Për disa vite ai drejtoi fondacionin Astan Quds Razavi, ndër më të pasurit dhe më me ndikimin në vend nga i cili varen dhjetëra kompani, nga telekomunikacioni te ndërtimi, dhe në të cilin punojnë shumë menaxherë të lidhur me Pasdaran.

Në vitin 2017 ai tentoi hapin e madh duke kandiduar për president kundër të moderuarit Rouhani, por u mund.

Regjistrimi i zërit, ku dëgjohej pjesëmarrja e tij në atë që u quajt Komiteti i vdekjes së Teheranit, u publikua në vitin 2017 nga djali i Ajatollah Montazeri-t, ai i cili e kishte mbështetur në fillimet e karrierës së tij, por që pushteti më pas e kishte margjinalizuar.

Skandali i kushtoi Raisit kandidimin e tij të parë presidencial në vitin 2017, por në vitin 2021, në tentativën e dytë, iranianët që e mbanin mend nuk dolën më për të votuar dhe Raisi u bë president.

Karriera

Në vitin 2019, Lideri Suprem – të cilit i ka qëndruar gjithmonë besnik – e emëroi në krye të gjyqësorit, një post që do t’i fitojë atij kredibilitet në sytë e bazës më popullore të për shkak të fushatës së tij kundër korrupsionit – si thonë kritikët e tij – edhe kundër kundërshtarëve.

Por hija e dënimeve të dhëna në vitin 1988 vazhdon të rëndojë mbi reputacionin e tij kur, në fund të luftës me Irakun, si një zëvendësprokuror i ri i përgjithshëm, ai ishte pjesë e komitetit prej katër vetash që autorizoi ekzekutimin e mijëra kundërshtarëve – shumë nga MEK, Muxhahedin-e-Khalq, aleatë të Sadamit – por edhe komunistë, laikë, aktivistë të majtë.

Sipas Amnesty International, Raisi dhe tre gjyqtarët e tjerë formuan “komitetin e vdekjes së Teheranit”, ekuivalent me shumë të tjerë të shpërndarë në të gjithë vendin.

Ato ishin juri me kompetenca të plota të përbëra nga besimtarë fetarë të regjimit, të cilët në harkun e disa muajve dërguan të paktën 5 mijë kundërshtarë te xhelati.

“Gjyqet” zgjatnin disa minuta, pa prova, pa avokatë. Ata nuk kishin asgjë të ngjashme me drejtësinë, përkundrazi ishin një represion politik efikas dhe i pamëshirshëm.

Sipas dëshmive të të mbijetuarve të mbledhura nga Human Rights Watch, për të siguruar ekzekutimin e dënimit, Raisi shpesh paraqitej në varje.

Një zell i tillë i dha atij një karrierë të shkëlqyer: zëvendësprokuror i përgjithshëm për dhjetë vjet, kreu i sistemit kombëtar gjyqësor në 2014, i sanksionuar për shkelje të të drejtave të njeriut nga Shtetet e Bashkuara në 2019, president i Republikës Islamike në 2021.

Dy ditë pas fitores elektorale, të fituar në raundin e parë pa opozitë dhe me një abstenim rekord (siç e thamë më lart), Raisi u paraqit para gazetarëve të huaj në një sallë të madhe konferencash.

I rreptë në tunikën e tij klerikale, me çallmën e zezë të pasardhësve të Profetit në kokë, fama e skifterit dhe ajo e më besnikëve të Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei i paraprinë.

Zgjedhja e tij ishte një shuplakë për Uashingtonin, i cili e kishte vendosur atë nën sanksione vetëm dy vjet më parë.

I forcuar nga emri i ajetullahut që Khamenei sapo i kishte dhuruar, presidenti i ri Raisi u përgjigjej gjithmonë gazetarëve duke sulmuar.

Presidenca

Në vitin 2021 ai arriti të zgjidhej në presidencë.

Raisi nuk ka qenë kurrë një lider karizmatik, por ai e bëri rrugën e tij falë besnikërisë së tij të palëkundur ndaj Sistemit.

Një klerik i ashpër dhe i përkushtuar ndaj Khameneit, ai ka qenë gjithmonë i kujdesshëm që të mos ndërhyjë në punët dhe vendimet strategjike të trupit gjithnjë e më të fuqishëm të Pasdaranëve, duke fituar mbështetjen e tij deri në atë pikë sa të konsiderohet si një nga më të kualifikuarit për të pasuar Khamenein.

Për të është folur shpesh si pasardhësi i Khameneit.

Por Lideri suprem ka një djalë që ndoshta pikërisht ai përfaqëson zgjedhjen e tij të parë, por Raisi besnik mund t’i kishte garantuar atij atë interval kohor të nevojshëm, në mënyrë që të mos dukej shumë si një pasardhës dinastik, ashtu si ajo e shahëve që ajatollahët përmbysën shumë vite më parë.

Ministri i Jashtëm

Gjithashtu në bordin e helikopterit presidencial ishte ministri i ri i Jashtëm, Hossein Amir Abdollahian, i cili gjithashtu u rrit politikisht me mbështetjen e Pasdaranëve, edhe pse nuk ishte kurrë një anëtar i tyre.

I lindur në qytetin verior të Damghan në vitin 1960, Amir-Abdollahian nuk u regjistrua për të luftuar në Luftën shkatërruese 1980-88 Iran-Irak dhe në vend të kësaj ndoqi universitetin ku përfundimisht mori një doktoraturë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ai u ngjit shpejt në shkallët në Ministrinë e Jashtme dhe vendi i tij i parë ishte në Ambasadën e Iranit në Irak në fund të viteve 1990.

Në një shenjë të dukshme të besimit të Republikës Islamike në Amir-Abdollahian, diplomati i ri u emërua në një delegacion prej tre personash për të përfaqësuar Iranin në bisedimet e rralla me Shtetet e Bashkuara mbi luftën në Irak.

Amir-Abdollahian shërbeu në role të ndryshme në ministri, veçanërisht si ambasador në Bahrein, zëvendësministër për çështjet Arabe dhe Afrikane dhe kreu i Departamentit të Gjirit Persik.

Përfshirja e tij në marrëdhëniet e Teheranit me Irakun dhe aktivitetet e IRGC-së në fqinjin perëndimor të Iranit e lejuan atë të krijonte një marrëdhënie me Qasem Soleimani-n, komandantin e Forcës Quds, krahu i IRGC-së jashtë shtetit.

Soleimani u vra në një sulm ajror të SHBA-ve pranë Bagdadit në vitin 2020.

Përpara emërimit të tij si ministër i Jashtëm, ligjvënësi konservator Ali Alizadeh vlerësoi Amir-Abdollahian si “Soleimani i diplomacisë”.

Në vitin 2016, mes thashethemeve se ishte në konflikt me ministrin e atëhershëm të Jashtëm Mohammad Javad Zarif, ai hodhi poshtë një ofertë për t’u bërë i dërguar i Iranit në Oman dhe u largua nga ministria.

Por Amir-Abdollahian u rikthye dhe u emërua këshilltar për punët e jashtme të kryetarit të atëhershëm të Kuvendit, Ali Larijani, ku qëndroi derisa u emërua ministër i Jashtëm.

Është marrë kryesisht në kohë me politikat e Iranit në Lindjen e Mesme, me lidhje të ngushta me Hezbollahun në Liban dhe është një nga arkitektët e ndërhyrjes iraniane në Siri në mbështetje të regjimit të Bashar al Asadit.

Marrë nga Repubblica, il Corriere della Sera dhe Radio Free Europe , përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore