Shqipëria

SPAK dhe Policia e Shtetit, pjesë e rrjetit ‘SIENA’


Njё marrëveshje trepalëshe me objekt dhënien e së drejtës së hyrjes në sistemin elektronik “SIENA”, ёshtё arritur midis Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar(SPAK), Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Lajmin e bëri të ditur SPAK duke njoftuar se, nënshkrimi i marrëveshjes do t’u mundësojë organeve qasje në rrjetin e sigurt të komunikimit dhe shkëmbimit të informacionit “SIENA”, pjesë e agjencisë së zbatimit të ligjit të Bashkimit Evropian, Europol.

“Kjo në kuadër të thellimit të hetimeve për subjekte që dyshohet se janë të përfshirë në aktivitete kriminale në kompetencë të SPAK”, bëri me dije organi i hetimit.

Agjencia e zbatimit të ligjit në Bashkimin Evropian

Me nënshkrimin e marrëveshjes, SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit bëhen partnerë të rëndësishëm me Europol.

Ajo do t’i aksesojë strukturat drejtpërdrejtë në bazën e të dhënave “SIENA”, ku do të merret dhe shkëmbehet informacion në kohë reale.

Marrёveshja ka pёr qëllim tё rrisё efektivitetin e hetimeve penale dhe operacioneve të përbashkëta në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

SPAK ravijёzoi gjithashtu se, ajo do të sigurojë bashkëpunim dhe shkëmbim të sigurt të informacioneve, jo vetëm me Europol-in, por edhe me shtetet anëtare të Unionit Evropian.

Lidhur me arritjen e marrëveshjes trepalëshe, në një postim në median sociale “Twitter”, reagoi dhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca.

Soreca u shpreh se, marrëveshja e sotme mes SPAK-ut dhe Policisë së Shtetit është një hap i rëndësishëm përpara në bashkëpunimin operacional meidis Shqipërisë dhe forcave policore BE-së në luftën kundër krimit të organizuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore