Lajme

“S’ka lidhje me bosnjëzim’” — Isa Mustafa flet për Asociacionin


Isa Mustafa, ish kryeministër i Kosovës

Vizita tre ditore e emisarëve të ShBA-së dhe BE-së në Kosovë, riktheu diskutimin e Asociacionit nga një këndvështrim tjetër.

Ashtu siç u tha në konferencën e përbashkët të Escobar dhe Lajçak në ditën e tretë të qëndrimit të tyre në Kosovë, pas takimeve me të gjithë përfaqësuesit politik në vend, janë të gatshëm për të ndihmuar në gjetjen e një modaliteti për krijimin e Asociacionit. Nuk bëhet fjalë për Bosnjëzim të Kosovës por, siç tha edhe Escobar “besojmë që marrëveshjet që janë arritur në të kaluarën duhet të zbatohen”.

Se Asociacioni i komunave me shumicë serbe “duhet të bëhet”, Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka treguar se u ka thënë edhe ish ambasadorja e ShBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson.

Në një emision në T7, Mustafa ka treguar prapaskenat e nënshkrimit të Asociacionit, duke shtuar se krejt cka ai ka mundur të bëj ishte që të sigurohej që ky Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë të mos themelohet me kompetenca ekzekutive.

Sipas Mustafës, ish ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, u ka thënë qeveritarëve të asaj kohe se Asociacioni duhet themeluar sepse është marrëveshje e kryer.

“Themelimi i Asociacionit ishte punë e kryer në Kuvend. Por, kur e hapëm këtë çështje me ambasadoren e SHBA-së në Kosovë, ajo tha ‘Këtë punë duhet ta bëni’. Unë thashë ‘Pse kemi nevojë ta bëjmë Asociacionin me kompetenca ekzekutive?’ Ajo më tha ‘Kjo punë është e kryer, është arritur marrëveshja, është ratifikuar dhe duhet bërë’”, tha Mustafa.

Ish-shefi i qeverisë kosovare rrëfeu rastin se si ambasadorja ia ka bërë me dije qëndrimin e SHBA-së lidhur me Asociacionin.

“’Mirëpo, në qoftë se ti do të shkosh në Bruksel për të bërë OJQ, dije se në Bruksel nuk bëhen OJQ-të. Nuk negociohet në Bruksel për organizata joqeveritare. Por, nëse ju intereson se si është qëndrimi ynë për Asociacionin, atëherë unë them se ne nuk e shohim asociacionin si pushtet të tretë dhe s’do ta përkrahim si pushtet të tretë. Ju duhet t’i gjeni mënyrat si ta formoni asociacionin pa e prekur rendin kushtetues’”.

Tutje, Mustafa tha se gjatë asaj kohe ka arritur që me politikëbërjen e tij ta fusë në marrëveshje dakordësinë që Asociacioni të mos themelohet para se Gjykata Kushtetuese ta trajtojë statutin e saj.

Pos kësaj, Mustafa tha se ka lënë edhe një siguresë tjetër që Asociacioni të mos ketë kompetenca ekzekutive.

“Ne arritëm ta fusim në marrëveshje se Asociacioni nuk themelohet para se Gjykata Kushtetuese ta trajtojë statutin e saj. E kur Gjykata Kushtetuese thotë se mund të themelohet, atëherë mund të bëhet. Pastaj kemi lënë një siguresë tjetër, që Kuvendi i Asociacionit, që përbëhej nga kryetarët e Kuvendit të Komunave, të mos mund ta ndryshojë statutin e Asociacionit, pa miratim të Gjykatës Kushtetuese”.

“Unë nuk isha i kënaqur, e këtu më ka ndihmuar zonja Tahiri. U angazhuam ta nxjerrim një letër nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, zonja Mogherini, që na siguron më vonë kur të diskutohet për këtë çështje, në mënyrë që të sigurohemi se kur të diskutohet për Asociacionin të mos kërkohet të ketë kompetenca ekzekutive”.

“Ato që u hapën më vonë se duhet ndryshuar kushtetuta, “bosnjëzimi” e të tjera. Ato më tepër ishin kauza politike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore