Lajme

Si e kalibron Pekini përgjigjen e tij në Tajvan?


Kina ka organizuar sërish stërvitje ushtarake rreth Tajvanit – por disa ekspertë thonë se Pekini i ka thirrur ato pasi ishulli do të mbajë zgjedhjet presidenciale në nëntë muaj dhe është në interesin e Kinës të shohë një fitore nga partia opozitare Kuomintang (KMT).

Asnjë raketë nuk është lëshuar pranë ishullit, stërvitjet zgjatën vetëm tre ditë dhe politikani amerikan që takoi Presidenten Tsai Ing-wen – Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy – nuk është sanksionuar.

Përgjigja e Pekinit kur ish-kryetarja Nancy Pelosi vizitoi Taipein gushtin e kaluar ishte më e ashpër.

Stërvitjet janë bërë pjesë e “procedurës standarde operacionale” të Kinës pas udhëtimit të Pelosit, thotë profesori Chen-shen Yen i Universitetit Kombëtar Chengchi të Tajvanit.

“Ata duhet të bëjnë të ditur pozicionin e tyre, por reagimet e tyre nuk mund të tejkalohen”.

Partia Komuniste Kineze mundi KMT në një luftë civile që përfundoi në 1949, duke e detyruar këtë të fundit të ikte në Tajvan. Por në dekadat e fundit, ish-rivalët kanë gjetur gjuhën e përbashkët në Konsensusin e vitit 1992, një kuptim i paqartë që thotë se ekziston vetëm “Një Kinë” që përfshin Tajvanin.

Nëse Pekini vazhdon retorikën e tij të vijës së ashpër, ai rrezikon të bëhet fushata më e mirë për Partinë Demokratike Progresive (DPP) të prirur ndaj pavarësisë në zgjedhje, thotë Prof Yen.

KMT fitoi shumë në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, por analistët thonë se faktori Kinë peshon shumë më tepër në zgjedhjet presidenciale.

Kina ka miratuar një strategji karota dhe shkopi, thotë profesori Fang-yu Chen i Universitetit Soochow të Tajvanit. Nga njëra anë Kina premton shkëmbime – duke përfshirë ekonomike dhe kulturore – nëse Tajvani bie dakord mbi parimin “Një Kinë”. Në të njëjtën kohë ajo vazhdon ngritjen e saj ushtarake.

Tsai Ing-wen dhe Kevin McCarthy

“Pekini dëshiron t’i tregojë popullit tajvanez se do të ketë një luftë nëse ata votojnë për DPP, por do të ketë paqe nëse votojnë për KMT”, shton ai.

Është një ekuilibër i vështirë për t’u arritur. Megjithatë, Kina gjithashtu përballet me presion të brendshëm për të vepruar ashpër ndaj Tajvanit, veçanërisht duke pasur parasysh se Kina ka nxitur nacionalizmin në mesin e qytetarëve të saj, thotë ai.

Nëse stërvitjet ushtarake të Kinës synojnë të pengojnë politikanët amerikanë dhe tajvanezë që të afrohen shumë, ajo ka arritur njëfarë suksesi – Tajvani duket se ka ndërmarrë hapa për të ulur tensionet rreth takimit Tsai-McCarthy.

Korrikun e kaluar, McCarthy tha se do të donte të drejtonte një delegacion të Kongresit nëse do të bëhej kryetar i Dhomës. Administrata Tsai arriti ta bindte atë të takohej në SHBA për shkak të shqetësimeve të sigurisë së Tajvanit, raportoi gazeta britanike “Financial Times”, duke cituar burime.

Shtetet e Bashkuara u përpoqën gjithashtu të minimizonin takimin, duke theksuar se ishte tranziti i shtatë i Tsai që nga marrja e pushtetit. Si SHBA ashtu edhe Tajvani e kanë përshkruar atë si një ndalesë ose tranzit, në vend të një “vizitë”.

Çështja e Tajvanit është pika më e madhe e ndezjes në marrëdhëniet SHBA-Kinë. Kina e sheh ishullin vetëqeverisës demokratik si pjesë të territorit të saj dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për të marrë kontrollin e tij.

Ndërsa SHBA tregon mbështetje më të madhe për Tajvanin, Kina e ka akuzuar atë për zbrazje të politikës së saj të kahershme Një Kinë.

Sipas politikës, SHBA njeh dhe ka lidhje formale me Kinën dhe jo me ishullin e Tajvanit, të cilin Kina e sheh si një provincë të shkëputur për t’u bashkuar me kontinentin një ditë.

Por kjo është e ndryshme nga parimi Një Kinë, ku Kina këmbëngul se Tajvani është pjesë e patjetërsueshme e një Kine për t’u bashkuar një ditë.

Politika e SHBA-ve nuk është një miratim i pozicionit të Pekinit dhe në të vërtetë, si pjesë e politikës, Uashingtoni mban një marrëdhënie “të fortë jozyrtare” me Tajvanin, duke përfshirë shitjet e vazhdueshme të armëve në ishull, në mënyrë që ai të mund të mbrohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore