Shqipëria

Shtatori – muaji i çështjeve “Tahiri” dhe “Llalla”


Muaji shtator pritet të “dëshmojë” dy përballje të rëndësishme të ish-zyrtarëve të lartë publikë me gjykatat shqiptare.

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, do të gjykohet në Gjykatën e Lartë, të martën e 28 shtatorit.

Gjatë muajit gusht, gjykata caktoi datën e seancës për Tahirin dhe ish-kreun e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela.

Trupi gjykues, me kryetar Ilir Pandën dhe dy anëtarët Sokol Sadushi dhe Ervin Pupe, do të vazhdojnë procesin gjyqësor ndaj ish-funksionarëve.

Në bazë të ndryshimeve të reja ligjore, e njëjta trupë gjykuese, që ka vendosur në dhomë këshillimi kalimin e çështjes për gjykim në Gjykatën e Lartë, duhet të vazhdojë edhe procesin gjyqësor.

Më herët, ish-kreu i Policisë së Vlorës i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme shuarjen e afateve të paraburgimit, pasi që nga koha kur është dhënë vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit, ka kaluar më shumë se një vit.

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri
Rindërtimi i çështjes “Tahiri”

Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela u shpallën fajtorë për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”.

Ish-ministri u dënua me tri vite shërbim prove, ndërsa Jaeld Çela me tre vite e katër muaj burg.

Ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela

Në nëntor të vitit 2017, prokuroria e akuzoi Çelën se, në bashkëpunim me ish-ministrin Saimir Tahiri, ndihmonin bandën e Habilajve për të trafikuar drogë.

Ish-kreu i Policisë së Vlorës u vetëdorëzua në polici në maj të vitit 2020, pas dy viteve në arrati, ndërsa akuzohej për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Trafikim i bimëve narkotike” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Gjykata e Krimeve të Rënda la në fuqi ndaj Çelës – vetëm akuzën e shpërdorimit të detyrës – duke e dënuar atë me 3.4 vite burgim.

Nga ana tjetër, ish-ministri u dënua vetëm me 3 vite shërbim prove nën akuzën e rikualifikuar të “shpërdorimit të detyrës”.

Data e çështjes “Llalla”

Gjatë muajit korrik, Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi shtyrjen e seancës ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për më datë 9 shtator.

Seanca e Llallës u shty pasi mungonte avokati mbrojtës i të akuzuarit.

Apeli i Llallës erdhi pasi ai nuk pranoi vendimin e Gjykatës së Posaçme për dënimin e tij me dy vite burg.

Kjo e fundit gjithashtu vendosi që Llallës t’i hiqet për pesë vite – e drejta për të ushtruar funksione publike.

Ai akuzohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.

Ish-prokurori u gjykua për veprën penale të fshehjes sё pasurisё. Ndërkohë, Adriatik Llalla ishte dhe nё hetim pёr veprën e pastrimit të parave.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla
Rindërtimi i gjykimit

Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme vendosi për sekuestrimin e pesë pasurive të paluajtshme të ish-kryeprokurorit.

Ky vendim erdhi pas një kërkese të SPAK-ut.

Hetimi ndaj Llallës nisi më 15 mars të vitit 2018 nga Prokuroria e Durrësit. Më pas u kalua për kompetencë tek ish-Krimet e Rënda.

Ai thuhet se nuk ka deklaruar një shumë prej 7 mijë e 400 dollarë të shpenzuara në Shtetet e Bashkuara, një shumë për ndërtimin e një banese, si dhe shpenzime të kryera në Gjermani.

Llalla u dyshua për katër vepra penale, mes të cilave edhe “pastrim i parave” dhe “shpërdorim i detyrës”.

Në përfundim të hetimit, SPAK-u vlerësoi se, ndaj tij, provohej vetëm akuza e “mosdeklarimit të pasurisë”.

Pasi përfundoi mandatin e kryeprokurorit, Llalla dha dorëheqjen nga sistemi dhe nuk iu nënshtrua vetting-ut. Ndërsa, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) e shpalli atë “non grata”, duke i ndaluar atij dhe familjes së tij hyrjen në SHBA.

Ku fillon rrjedha e ish-kryeprokurorit drejt rrjetës së drejtësisë?

Adriatik Llalla ishte i përzgjedhuri i Kuvendit në Qeverinë Berisha 2, për të marrë postin e lartë të kryehetuesit në Shqipëri.

Më 3 dhjetor 2012, ai votohet në Parlament dhe merr postin e lartë, atë të kryeprokurorit.

Përtej akuzave politike, gjithçka tjetër do të ishte e qetë në jetën e Llallës. Por, gjashtë vite më vonë, në mars të vitit 2018, filluan “telashet” me drejtësinë shqiptare.

Hetimi për pastrimin e parave do të ishte akuza ndaj ish-zyrtarit të lartë shqiptar.

Pikërisht amerikanët – të cilët e kishin shpallur Llallën ‘non grata’ prej pak kohësh – do të bënin kërkesë për të ndihmuar me fakte Prokurorinë Shqiptare.

SHBA-të treguan disponueshmëri për vënien në gatishmëri të provave që kishin mbi Llallën për hetim të pasurisë.

Çështja do të mbetej pasive në sytë e opinionit publik, por do të rikthehej vendosmërisht dy vjet më vonë.

Këtë herë, nën diktatin e Prokurorisë së Posaçme të sapokrijuar, SPAK.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore