Shqipëria

Gjykata e Lartë cakton datën e seancës për ish-ministrin Tahiri


Gjykata e Lartë në Shqipëri ka caktuar datën e seancës për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Ajo do të zhvillohet më 28 shtator të 2021-it.

Trupi gjykues, me kryetar Ilir Pandën dhe dy anëtarët Sokol Sadushi dhe Ervin Pupe, do të vazhdojnë procesin gjyqësor ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri dhe ish-kreut të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela.

Në bazë të ndryshimeve të reja ligjore, e njëjta trupë gjykuese, që ka vendosur në dhomë këshillimi kalimin e çështjes për gjykim në Gjykatën e Lartë, duhet të vazhdojë edhe procesin gjyqësor.

Më herët, ish-kreu i Policisë së Vlorës i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme shuarjen e afateve të paraburgimit, pasi që nga koha kur është dhënë vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit, ka kaluar më shumë se një vit.

Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela u shpallën fajtorë për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”.

Ish-ministri u dënua me tri vite shërbim prove, ndërsa Jaeld Cela me tre vite e katër muaj burg.

Në nëntor të vitit 2017, prokuroria e akuzoi Çelën se, në bashkëpunim me ish-ministrin Saimir Tahiri, ndihmonin bandën e Habilajve për të trafikuar drogë.

Ish-kreu i Policisë së Vlorës u vetëdorëzua në polici në maj të vitit 2020, pas dy viteve në arrati, ndërsa akuzohej për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Trafikim i bimëve narkotike” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Gjykata e Krimeve të Rënda rëndoi ndaj Çelës vetëm akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe e dënoi atë me 3.4 vite burgim.

Nga ana tjetër, ish-ministri u dënua vetëm me 3 vite shërbim prove nën akuzën e rikualifikuar të “shpërdorimit të detyrës”.

Ndonëse i shpëtoi qelisë, ku Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi ta dërgonte për tri akuza të tjera të rënda, për Tahirin u vendos gjithashtu që, për të paktën disa vite, të qëndronte jashtë jetës politike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore