Shqipëria

SPAK jep pretencën për Adriatik Llallën, kërkohet 2 vite burg


Pas katër seancave në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), është dhënë pretenca për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.

SPAK ka kërkuar dy vite burg dhe 5 vite përjashtim nga ushtrimi i funksioneve publike.

Ish-prokurori po gjykohet për veprën penale të fshehjes sё pasurisё. Ndërkohë, ishte vendosur dhe njё hetim pёr pastrimin e parave.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme vendosi për sekuestrimin e 5 pasurive të paluajtshme të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, pas një kërkese të Prokurorisë së Posaçme.

Hetimi ndaj Llallës nisi më 15 mars 2018 në Prokurorinë e Durrësit, por më pas u kalua për kompetencë tek ish-Krimet e Rënda.

Ai thuhet se nuk ka deklaruar një shumë prej 7 mijë e 400 dollarë të shpenzuara në SHBA, një shumë për ndërtimin e një banese, si dhe shpenzime të kryera në Gjermani.

Llalla u dyshua për katër vepra penale, mes të cilave edhe “pastrim i parave” dhe “shpërdorim i detyrës”, por në përfundim të hetimit SPAK vlerësoi se ndaj tij provohej vetëm akuza e “mosdeklarimit të pasurisë”.

Pasi përfundoi mandatin e kryeprokurorit, Llalla dha dorëheqjen nga sistemi dhe nuk iu nënshtrua vetingut. Ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli atë non grata, duke i ndaluar atij dhe familjes hyrjen në SHBA.

Seanca për të dhënë vendimin është vendosur më 20 maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore