Përballje

Shqipëria zhvillon ndeshjen e fundit për fitore dhe suksesin historik


Kombëtarja e Shqipërisë në futboll, këtë të hënë do të zhvillojë ndeshjen e fundit kualifikuese të Kupës së Botës, “Katar 2022”.

Kuqezinjtë do të përballen në stadiumin “Air Albania” me kombëtaren e Andorrës, ndaj të cilëve do të kërkojnë ta mbyllin me fitore këtë edicion mjaft të suksesshëm.

Gjithashtu suksesi i sotëm, do ta siguronte vendin e tretë në grup, me 18 pikë, rekord ky për Shqipërinë që nuk është arritur ndonjëherë.

Sa i përket kundërshtarit, Andorrës, kombëtarja shqiptare është përballur tri herë në ndeshje garuese me ta, ku në të tria rastet ka arritur të triumfojë.

Për këtë sfidë, trajneri Edi Reja duhet t’i bëjë llogaritë pa shumë titullarë, të cilët për shkak dëmtimi dhe kartonësh nuk do të jenë të disponueshëm.

Nga minuta e parë në portë pritet që të luajë sërish Strakosha, i cili do të ketë para vetes mbrojtjen me tre futbollistë.

Pa Kumbullën, Gjimshitin, Ismajlin dhe Veselin, trajneri italian pritet që t’u besojë Mihajt, Dermakut dhe Hoxhallarit.

Nga krahët, Hysaj shihet si i pazëvendësueshëm, ndërsa në krahun tjetër Lenjani është favorit për të marrë një fanellë titullari.

Mesfusha e kuqezinjve me shumë mundësi do të përbëhet nga Ramadani dhe Laçi në krahët e mesit të fushës, derisa pozitën qendrore do ta ketë Bajrami.

Në sulm, sikur të mos mjaftonte Broja i dëmtuar apo Cikalleshi i pezulluar, edhe Bekim Balaj nuk është stërvitur në seancën e fundit.

Në të tilla rrethana, pritet të luajnë nga minuta e parë Uzuni dhe Seferi, me sulmuesin e Tiranës që është bashkuar në orët e fundit me skuadrën përfaqësuese.

Ndeshja Shqipëri – Andorrë do të zhvillohet me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Air Albania” të Tiranës.

Suksesi ndaj Andorrës do ta poziciononte Shqipërinë në vendin e tretë në Grup, para një kombëtareje si Hungaria, të cilët ishin pjesëmarrës në “Euro 2020”, madje arritën t’iu krijojnë probleme kombëtareve si Portugalia e Gjermania.

Ndërsa vendin e parë në këtë grup, e mban Anglia, të cilëve do t’iu duhet vetëm edhe një pikë ndaj San Marinos, për të siguruar pjesëmarrjen direkte në Katar, kurse Polonia e vendit të dytë, pjesëmarrjen në Kupën e Botës do ta kërkojë përmes fazës play-off.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore