Sport

Shkëndija reagon ashpër, bojkoton zgjedhjet për presidentin e ri të Federatës së Futbollit në Maqedoni


Klubi i futbollit, Shkëndija e Tetovës, është tërhequr nga zgjedhjet për presidentin e ri të Federatës së Futbollit në Maqedoninë e Veriut, për shkak se klubi i madh shqiptar ndihet i diskriminuar në këtë proces që e konsideron jo legjitim.

“Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit rreth kuvendeve zgjedhore për përfaqësim organizativ të futbollit në Maqedoninë e Veriut, sikurse në nivelin lokal, po ashtu edhe në nivelin qendror, KF Shkëndija njofton opinionin, institucionet përkatëse, dhe me gjerë, se nuk do të jetë aspak pjesëmarrëse në këtë proces në formën në të cilën veçse është filluar dhe vijon, dhe me këtë edhe nuk do të pranojë validitetin e këtyre zgjedhjeve të organizuara në këtë format jodemokratik, diskreditues dhe jozhvillimor për futbollin, për katër vitet e ardhshme të mandatit të këtyre zgjedhjeve” reagoi klubi përmes një komunikate në web faqen e tyre zyrtare.

Edhe pse për herë të parë në histori, Federata e Futbollit të Maqedonisë udhëhiqet nga një shqiptar Muamed Sejdini, klubi nga Tetova ndihet i diskriminuar për nga mënyra se si është trajtuar nga Lidhja Komunale Futbollistike e Tetovës dhe Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut dhe për këtë arsye është tërhequr nga këto zgjedhje.

“Në kuvendin zgjedhor për zgjedhje të kryesisë së lidhjes Futbollistike Komunale në Tetovë dhe organet tjera përkatëse, statusi diskreditues parasheh vetëm tre delegatë nga klubi ynë (po aq sa kanë edhe disa klube të rangëve më të ulëta të Tetovës), nga diku gjithësej 35-40 delegatë që do të përbëjnë këtë Kuvend, ne vlerësojmë që ky statut nuk bënë përfaqësimin adekuat të KF Shkëndija” – Ishte reagimi i tyre sa i përket zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 18 shkurt.

Gjithashtu ata do t’i bojkotojnë edhe zgjedhjet qendrore të Federatës së Futbollit të Maqedonisë që do të mbahen me 14 mars 2021,  ata thanë se ky organizim zgjedhor është jodemokratik, diskreditues, për meritorët kryesorë të futbollit vendor.

“Ky statut dhe proces zgjedhor, mundëson dhe mbron ekosistemin e vjetërsuar dhe të mbyllur nga LFK e deri në FFM, ku të drejtë përfaqësimi, u jepet individëve dhe subjekteve tjera fiktive të së kaluarës, që shumë pak ose aspak nuk ofrojnë për futbollin vendor, ndërsa investitorët, klubet dhe sportistët me merita të rëndësishme anashkalohen në tërësi. Vlerësimi ynë është që krejt ky proces nuk do të mundësojë të drejtën e përfaqësimit të denjë të KF Shkëndija në nivelet më të rëndësishme të organizimit të futbollit në FFM” – theksuan ata

Kujtojmë se klubi i madh shqiptar, Shkëndija viteve të fundit ka treguar një formë të shkëlqyer si në ligën maqedonase ashtu edhe në Evropë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore