Kosova

Brnabiç letër NATO-s për mos-avancimin e statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare


Ana Brnabiç

Pas anëtarit të Delegacionit të Përhershëm të Parlamentit të Serbisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Zoran Dragishiç, edhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiç, i ka dërguar letër  përfaqësuesve të shteteve anëtare të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në prag të seancës parlamentare ku pritet të shqyrtohet avancimi i statusit të Kosovës nga vëzhgues në anëtar të asocuar të kësaj organizate.

Në letrën e Brnabiç, siç raporton agjencia e lajmeve serbe Tanjug, pretendohet se me dhënien e statusit të anëtarit të asociuar Kosova do të shpërblehej për “dhunën ndaj komunitetit serb” si dhe për “zvarritjen e dialogut në Bruksel”.

Brnabiç në letër ndër të tjera ka pretenduar se “Kosova po ushtron diskriminim sistematik dhe të vazhdueshëm ndaj komunitetit serb”.

Ndërkohë anëtarët e delegacionit të Serbisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, kanë takuar raportuesin për draft-raportin “Ballkani Perëndimor – sfidat e ripërtëritura të sigurisë në derën e NATO-s”, Mark Lancaster në sesionin pranverorë të Asamblesë i cili ka filluar këtë të shtune.

Gjatë takimit, siç raporton Tanjug, anëtarët serbë kanë bërë një sërë komentesh për tekstin e raportit, veçanërisht për pjesën që ka të bëjë me statusin e Kosovës në këtë organizatë.

Anëtarët serbë i kanë dorëzuar edhe disa vërejtje e komente Lordit Lancaster, të cilat, ndër të tjera, i referohen nevojës për të mbajtur një qëndrim të paanshëm ndaj Kosovës që do të ishte në përputhje me politikën e deklaruar të NATO-s për këtë çështje.

Kosova do të jetë në agjendën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila do të mblidhet këtë fundjavë në Sofje të Bullgarisë.

Me këtë rast, Kuvendi i Kosovës synon ta avancojë statusin e tij nga vëzhgues në anëtar të asocuar të kësaj organizate.

Në komunikatën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s thuhet se deputetët e saj, mes tjerash, “do të vendosin për kërkesat e Maltës dhe të Kuvendit të Kosovës për t’u bërë delegacione të anëtarëve të asocuar”.

Autoritetet e Kosovës bënë të ditur qysh në mars se Komisioni i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e ka avancuar statusin e Kuvendit të Kosovës në këtë trup.

Ndërkohë Serbia me lobim kundër Kosovës në organizatat ndërkombëtare po vazhdon ta thyej neni 4 të Marrëveshjes Bazë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore