Lajme

SHBA/ Institucioni i Arkivave kërkon hetim ndaj Trump-it


Agjencia e Qeverisë amerikane, që menaxhon ruajtjen e të dhënave presidenciale, ka kërkuar nga Departamenti i Drejtësisë hetim për ish-presidentin amerikan, Donald Trump, për trajtimin e dokumenteve zyrtare.

Presidentëve të SHBA-ve u kërkohet me ligj që t’i transferojnë të gjitha letrat, dokumentet e punës dhe email-et e tyre në Arkivin Kombëtar.

Por, zyrtarët thonë se ish-presidenti grisi ilegalisht një shumicë të këtyre dokumenteve.

Disa prej tyre duhej të ngjiteshin përsëri së bashku, thanë Arkivat.

Është zbuluar gjithashtu se 15 kuti letrash që Trump duhet t’i kishte kthyer kur u largua nga Shtëpia e Bardhë u dërguan në shtëpinë e tij në Florida.

Ato përfshijnë letra mes Trump-it dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un dhe letrën e dorëzimit presidencial nga Barack Obama.

Nuk është hera e parë që Trump përplaset me Arkivat Kombëtare.

Ai paditi, pa sukses, një përpjekje për të parandaluar transferimin e të dhënave të Shtëpisë së Bardhë në një komitet të Kongresit që hetonte trazirat e 6 janarit në Capitol-in e SHBA-ve.

Në një deklaratë, ish-presidenti Trump pranoi bashkëpunimin me Arkivin Kombëtar.

“Lajmet e medias për marrëdhënien time me NARA-n (Administrata Kombëtare e Arkivave dhe Regjistrimeve) është Fake News. Ishte pikërisht e kundërta! Ishte një nder i madh të punoja me NARA-n për të ndihmuar në ruajtjen formale të Trashëgimisë Trump”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore