Kosova

Sekretari i Mbrojtjes ndan medalje për ushtarët britanikë të KFOR-it


Grant Shapps

Sekretari i Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Grant Shapps, falënderoi dhe ndau Medaljen e Shërbimit Operativ (OSM) për personelin e Batalionit të Parë të Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit që kontribuoi në operacionet paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), derisa ky vit shënon 25-vjetorin e prezencës ushtarake të NATO-s në vend.

“Burrat dhe gratë e guximshme të Regjimentit Mbretëror të Batalionit të Parë të Princeshës së Uellsit kanë bërë krenare Mbretërinë e Bashkuar dhe ishte një privilegj i madh për mua t’u ndaja atyre medalje për rolin e tyre në këtë mision vendimtar të NATO-s”, tha ministri britanik i Mbrojtjes gjatë ceremonisë në Kazermën e Artilerisë Mbretërore në Woolwich.

NATO-ja njoftoi në fillim të tetorit të vitit të kaluar se 200 ushtarë britanikë të Regjimentit Mbretëror të Batalionit të Parë të Princeshës së Uellsit do të dislokohen në Kosovë për ta përforcuar misionin e KFOR-it, pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë ndaj Policisë së Kosovës në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

Këshilli i NATO-s autorizoi forca shtesë nga Mbretëria e Bashkuar pas kërkesës së Komandantit Suprem të NATO-s për Evropën (SACEUR), gjeneralit amerikan Chris Cavoli, për të adresuar situatën aktuale, derisa Shefi i Shtabit të Mbrojtjes, admirali britanik Sir Tony Radakin, deklaroi se ky dislokim do t’i japë forcë dhe ekspertizë misionit paqeruajtës të KFOR-it.

Angazhimi i Mbretërisë së Bashkuar në kuadër të KFOR-it u zgjat në maj të vitit të kaluar, kur ministri i atëhershëm britanik, James Heappey, gjatë një vizite në Prishtinë, njoftoi se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të kontribuojë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë të paktën deri në vitin 2026. Rreth 1 mijë ushtarë të NATO-s zbarkuan në vend pas tensioneve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore