Lajme

“Sa më pak Kosovë në Këshillin e Sigurimit, sa më shumë Kosovë në OKB”


Ambasadori i përhershëm i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha, deklaroi se qëndrimet e palës shqiptare në Këshillin e Sigurimit kanë një thelb.

“Sa më pak Kosovë në Këshillin e Sigurimit, sa më shumë Kosovë në OKB”, u shpreh fillimisht diplomati.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi Euronews Albania, duke cituar intervistën me ambasadorin shqiptar.

Sipas tij, arsyeja pas këtij qëndrimi është sepse Kosova nuk është më çështje e paqes dhe sigurisë.

Pra, Kosova nuk ka më nevojë për një ekip i cili të orientojë qeverinë dhe shoqërinë, shtoi Hoxha.

“Zgjedhjet fondamentale janë bërë në Kosovë, kosovarët janë absolutisht të aftë jo vetëm për veten e tyre përmes proceseve elektorale dhe demokratike, nuk kanë më nevojë për një mision (referuar UNMIK-ut) i cili nuk i ofron pothuajse asgjë substanciale shoqërisë, shtetit dhe Kosovës në përgjithësi”, theksoi më tej diplomati shqiptar.

Ai pohoi gjithashtu se mbetet e vështirë për të bërë ndryshimet sipas dëshirave, për shkak të vetos së disa vendeve.

“Druaj se nuk do të kemi mundësi për të bërë ndryshime siç do të donim, por gjithsesi ne nuk do të rreshtim së këmbënguluri dhe nuk do të rreshtim përpjekjet bashkë me vendet e tjera njohëse të Kosovës që ajo të dalë nga Këshilli i Sigurimit, sepse ajo është tashmë artificialisht aty”, garantoi Ferit Hoxha.

UNMIK-u vazhdon të operojë në të gjithë territorin e Kosovës.

Misioni i Kombeve të Bashkuara, UNMIK, u vendos në Kosovë për herë të parë në qershor të vitit 1999.

Ky mision kishte për qëllim që të shërbente si prezencë ndërkombëtare civile dhe ushtarake pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Aktualisht, UNMIK-u ka prani shumë të kufizuar në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), përsëritën kërkesën për mbyllje të këtij misioni në Kosovë gjatë njërës prej mbledhjeve të fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së,

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore