Shqipëria

Rusia mesazh diplomacisë shqiptare: Pro apo kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO?


Federata Ruse ka publikuar një mesazh drejtuar diplomacive perëndimore – dhe asaj shqiptare – lidhur me anëtarësimin e Ukrainës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).

Fillimisht, diplomacia ruse sqaron se “është seriozisht e shqetësuar për rritjen e tensioneve politiko-ushtarake në afërsi të kufijve të saj perëndimorë”.

Për të shmangur çdo përshkallëzim të mëtejshëm, ata sqarojnë se më 15 dhjetor të vitit 2021 u bë prezantimi i drafteve të dy dokumenteve ligjore ndërkombëtare.

Traktati midis Federatës Ruse dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Garancitë e Sigurisë dhe një Marrëveshje për Masat për të garantuar sigurinë e Federatës Ruse dhe Shteteve Anëtare të NATO-s.

“Përgjigjet e SHBA-ve dhe NATO-s ndaj propozimeve tona të marra më 26 janar 2022 demonstrojnë dallime serioze në kuptimin e parimit të sigurisë së barabartë dhe të pandarë, që është thelbësor për të gjithë arkitekturën evropiane të sigurisë”, vijon letra e Rusisë.

Sipas tyre, është e nevojshme të sqarohet menjëherë kjo çështje.

Kjo, pasi ajo do të përcaktojë perspektivat për dialogun e ardhshëm.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri
Kartat

“Karta për Sigurinë Evropiane e nënshkruar në Samitin e OSBE-së në Stamboll në nëntor 1999 formuloi të drejtat dhe detyrimet kryesore të shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së në lidhje me pandashmërinë e sigurisë”, thekson më tej mesazhi diplomatik rus.

Diplomacia ruse vëren në letrën e pazakontë se përfaqësuesit perëndimorë, ndërsa shprehin gatishmërinë e tyre për t’u angazhuar në dialog për arkitekturën e sigurisë evropiane, qëllimisht shmangin referencën ndaj Kartës për Sigurinë Evropiane dhe Deklarata e Astanës në komentet e tyre.

Kryeqytetet perëndimore gjithashtu përpiqen, sipas Rusisë, të injorojnë një dokument kyç të OSBE-së – Kodin e Sjelljes mbi Aspektet Politiko-Ushtarake të Sigurisë të vitit 1994.

Ky i fundit, për diplomacinë ruse, thotë qartë se Shtetet do të zgjedhin marrëveshjet e tyre të sigurisë, duke përfshirë anëtarësimin në aleanca, ‘duke pasur parasysh shqetësimet legjitime të sigurisë të shteteve të tjera.

“Nuk do të funksionojë kështu. Vetë thelbi i marrëveshjeve për sigurinë e pandashme është se ose ka siguri për të gjithë ose nuk ka siguri për askënd. Karta e Stambollit parashikon që çdo shtet pjesëmarrës i OSBE-së ka të drejtë të barabartë për sigurinë, dhe jo vetëm vendet e NATO-s që e interpretojnë këtë të drejtë si një privilegj të jashtëzakonshëm të anëtarësimit në klubin ‘ekskluziv’ të Atlantikut të Veriut”, ravijëzon më tej Rusia.

NATO dhe Bashkimi Evropian, shton diplomacia në mesazhin e saj, bëjnë thirrje të vazhdueshme për “mospërshkallëzim” dhe që Rusia “të zgjedhë rrugën e diplomacisë”.

“Duam të kujtojmë, se ne kemi ecur në atë rrugë për dekada”, shpall në përmbyllje shkresa zyrtare e Federatës Ruse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore