Lajme

Rusi: Protesta kundër mbërritjes së ushtrisë ruse në Kazakistan – fillojnë arrestimet


Disa qytetarë rusë po arrestohen në Moskë pranë Ambasadës së Kazakistanit.

Ata kanë dalë në protestë kundër dërgimit të trupave nga Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) në Almaty.

Në pamjet nga Metro Chistye Prudy shfaqen efektivët e policisë teksa ndalojnë qytetarë të ndryshëm.

Të mërkurën e 5 janarit janë arrestuar më shumë se 2 mijë njerëz gjatë trazirave.

Njësitë e avancuara të aleancës të vendeve ish-sovjetike kanë mbërritur në Kazakistan.

Me të mbërritur ato kanë filluar të përmbushin detyrat e tyre në vend, raportoi sekretariati i CSTO-së.

Sipas informacioneve, trupat ajrore ruse u bënë pjesë e forcave paqeruajtëse të CSTO-s të dërguara në Kazakistan.

Pamjet e publikuara nga autoritetet ruse në Twitter e dëshmojnë transferimin e tyre drejt republikës ish-sovjetike.

“Detyrat kryesore të Forcave Kolektive të CSTO në Kazakistan do të jenë mbrojtja e objekteve shtetërore dhe ushtarake, ndihma në stabilizimin e situatës”, cilësohet në deklaratë.

Një tjetër video nga transmetuesi shtetëror rus Zvezda (i lidhur me ministrinë ruse të mbrojtjes) tregon automjete të blinduara që po i drejtohen ish-vendit sovjetik.

Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, adresoi në televizionin shtetëror pak para mesnatës thirrjen ndaj aleancës së shteteve ish-sovjetike, përfshirë Rusinë, për ndihmë në rivendosjen e rendit.

Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, në një deklaratë të publikuar nga agjencia ruse e lajmeve tha se organizata do të dërgojë paqeruajtës.

Tokayev pretendoi se trazirat u drejtuan nga “banda terroriste” që kishin marrë ndihmë nga vende të tjera të paspecifikuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore