Sport

Raporti i FIFA-s: 10-vjeçarin e fundit janë shpenzuar 48.5 miliardë dollarë


Organi më i lartë drejtues i futbollit në botë, FIFA, ka publikuar raportin e shpenzimeve në futboll për periudhën 2011-2020.

Në bazë të raportit, rezulton se shpenzimet e klubeve brenda periudhës së sipërpërmendur kanë qenë 48.5 miliardë dollarë.

Manchester City është klubi që ka shpenzuar më shumë. Më pas lista vijon me Chelsea-n, Barcelona-n, PSG-në dhe Real Madrid-in.

Ndërkaq, 12 nga 30 klubet që kanë shpenzuar më shumë gjatë kësaj periudhe janë nga Premier League angleze.

Shuma e shpenzuar prej tyre është 19.3 miliardë euro.

Pjesa tjetër janë: pesë klube nga La Liga dhe Serie A, tre nga Bundesliga, dy nga Ligue 1 dhe Liga NOS dhe një nga Premier League ruse.

Viti 2017 ishte viti me shpenzimet më të larta për transferime.

7.35 miliardë dollarë u shpenzuan përgjatë këtij viti.

Që nga sezoni i 2010/11 janë transferuar lojtarë nga 204 kombësi të ndryshme.

Brazili është vendi i parë në këtë listë me më shumë lojtarë të transferuar. 15 mijë e 128 lojtarë brazilianë kanë kryer lëvizje nëpër klube të ndryshme kudo në botë.

Lojtari më i shtrenjtë i transferuar ishte Neymar-i.

PSG pagoi 222 milionë euro për ta transferuar nga Barcelona.

Shpenzimet totale për transferimin e lojtarëve brazilian kanë qenë në rreth 7.1 miliardë dollarë.

Ndiqen nga lojtarët francezë me 4.5 miliardë, spanjollët me 3.7 miliardë dhe argjentinasit me 3.2 miliardë.

Agjentët njihen për rolin e tyre të madh në transferimin e lojtarëve dhe pesha e tyre në futboll është rritur shumë.

Sipas raportit, agjentët kanë përfituar 69.1% më shumë se para vitit 2011.

Shifra e para 2011 që përfitonin agjentët ishte 131.1 milionë euro, ndërsa në 2019 kjo shifër shkoi në 3.5 miliardë euro.

Normalisht, në raportin e FIFA-s është përfshirë edhe futbolli shqiptar.

Për të njëjtën periudhë në Shqipëri janë kryer 1 mijë e 221 transferime në hyrje dhe 588 në dalje.

Ndërkohë, kanë qenë 41 klube të përfshira në transferime lojtarësh. Shpenzimet kanë qenë 1.3 milionë dollarë, ndërsa të ardhurat 8.2 milionë dollarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore