Zgjedhjet në Shqipëri

Rama: Ne, fuksa? Të dhënat online që prej 2009-ës


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një takimi elektoral me banorët e Pogradecit i ka kthyer replikën presidentit Ilir Meta për çështjen e patronazhimit.

Kreu i Partisë Socialiste theksoi se, ndonëse nuk ka dashur ta cekte si temë, do të donte të jepte një përgjigje.

“Se ne kemi një rrjet patronazhistësh, kjo nuk diskutohet. Ata janë qeliza vitale të qeverisë dhe e kemi për nder”, tha Rama gjatë fjalimit të tij.

Ndër të tjera, ai shpjegoi se “e gjithë databaza e gjendjes civile është në internet që prej 2009-s dhe para 3 ditësh mund të blihej për 15 dollarë”.

Sipas tij, kjo është një tentativë për të krijuar konfuzion te njerëzit dhe për të ngritur alibi.

Fusha e investimeve

Më herët, gjatë fjalimit të tij, Rama u ndal edhe te investimet.

“Dy parqe me panele diellore, për t’u bërë kështu ‘eksportues neto të energjisë’, u shpreh kryetari i Partisë Socialiste.

Numri një i qeverisë ka njoftuar se do të ndërtohen dy parqe me panele diellore.

“Po ndërtojmë dy parqe me energji diellore. I pari ka nisur në Karavasta. I dyti fillon së shpejti në Spitallë”, ka deklaruar ai, duke i cilësuar si “vlerë e shtuar” e prodhimit të energjisë sonë.

Gjithashtu kryeministri njofton se “kemi nënshkruar marrëveshje me qeverinë amerikane për të ndërtuar në zonën e veriut, Skavicën, projektin e kaskadës së Drinit”, që sipas tij çdo pikë ujë të grumbullohet aty.

Ndër të tjera, Rama ka njoftuar se HEC-in e Vlorës do ta kthejë në një portë të hyrjes së gazit të lëngshëm, sërish me një kompani amerikane.

Sipas tij, Shqipëria “ka bërë përparime” në bujqësi.

“E kemi siguruar me 100 milionë eksporte dhe sot kemi shkuar në 400 milionë”, deklaron Rama.

Kryetari i PS-së, Edi Rama, e ka vënë theksin dhe te prodhimi blegtoral, i cili nuk del më rrugëve, por grumbullohet dhe eksportohet, si dhe del në tregun e brendshëm.

Ai ka ripërsëritur dhe “tetë portat” që, sipas tij, do të sjellin zhvillimin turistik të vendit. Këtu përfshihen katër aeroportet dhe katër portet që priten të ndërtohen në vitet e ardhshme, nëse PS do të marrë sërish mandatin e tretë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore