Zgjedhjet në Shqipëri

Rama: Ja 8 portat kyçe që do të shumëfishojnë të ardhurat


Kryeministri i Shqipërisë, njëherësh dhe kryetari i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama, të shtunën e 17 prillit, nga Gjirokastra, deklaroi se, “tetë janë portat që do të shumëfishojnë të ardhurat, që do të vijnë nga turizmi”.

Ai përmendi tetë projektet e reja që do të jenë: Porti i Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe Shëngjinit, që “pritet të ndërtohen në 2023-shin”. Duke përfshirë dhe projektet për: Aeroportin e Kukësit, Vlorës, Sarandës dhe investimet në atë të Rinasit.

Të premten e 16 prillit, kryeministri ka prezantuar zyrtarisht projektin e Portit të ri Turistik të Durrësit, gjatë takimit me elektoratin durrsak.

Rama u shpreh se ky projekt do të jetë “investim prej 2 miliardë eurosh” nga Kompania Emaar, si dhe do të cilësohet si “Dubai i Mesdheut”.

Porti i ri i Durrësit pritet të kthehet në një kantier ndërtimi, brenda vitit 2023,

Ndërsa Aeroporti i Vlorës, “do t’i japë zhvillimin ekonomik dhe turistik, jugut të Shqipërisë”. Kështu është cilësuar nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, më 4 shkurt, gjatë një aktiviteti nismëtar në zonën e Nartës.

Një nga portat kyçe të zhvillimit ekonomik do të jetë dhe aeroporti i Kukësit, i cili pritet të hapet të dielën e 18 prillit.

Ky aeroport, sipas ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, do të ofrojë shërbime cilësore në kategorinë “low-cost”, atë të çmimeve të ulëta të fluturimeve.

“Aeroporti i Kukësit është i destinuar për të qenë i tillë. Është aeroport rajonal, por i gjithë Shqipërisë. Mund të shërbejë edhe për shqiptarët e Kosovës, apo ata të Maqedonisë së Veriut”, ka deklaruar ajo nga Aeroporti i Kukësit, të shtunën e 17 prillit.

Kurse Portin turistik të Lezhës, kryeministri e premton që do ta ndërtojë në vitin 2023.

Gjatë prezantimit të kandidatëve për deputet në qytetin e Lezhës, më 15 mars, kryeministri e ka cilësuar këtë projekt të Shëngjinit, si “porti i katërt i këtij zinxhiri” dhe praktikisht “porti që e mbyll këtë zinxhir”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore