Shqipëria

Rama kthehet në Parlament pas kërkesës së Bashës


Me rregulloren e “Kuvendit të Shqipërisë” në duar dhe një orë pas asaj çfarë ishte deklaruar, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është rikthyer në Seancën Plenare dhe ka marrë menjëherë fjalën në foltoren e Parlamentit.

Sipas Ramës, asnjë pikë në rregullore, nuk e kërkon që deputetët, e aq më pak kryeministri, të rrijnë në sallë kur flet opozita.

Por, pavarësisht kësaj, ai është kthyer duke e gjykuar të drejtë kërkesën e kryedemokratit Lulzim Basha, i cili nuk pranoi të merrte fjalën pa qenë i pranishëm kryeministri në sallë.

Kryeministri ka shpjeguar gjithashtu edhe arsyen e ikjes së tij. Sipas Ramës, angazhimet e shumta e kanë bërë atë të largohet, pasi pas disa ditësh, ai do të jetë në udhëtim jashtë vendit.

Mbi qëndrimin e opozitës, kreu i Qeverisë ka ravijëzuar atë çfarë tha edhe gjatë sesionit të paradites në seancë.

Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

“Siç jua thashë më parë, me të keq, me akte fizike, me ne nuk do të fitoni”, citoi Rama. Ndërsa në foltore, ai ftoi Bashën të marrë fjalën.

Por, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj, bëri me dijeni kryeparlamentaren, Lindita Nikolla, se fjalën e kryetarit Basha e vendos Grupi Parlamentar dhe jo kryeministri.

Për këtë arsye, Basha nuk e ka marrë fillimisht fjalën pas Ramës.

Gjithsesi, pas diskutimeve të shumta, Basha e ka marrë fjalën.

Çfarë kërkuan demokratët?

Kryedemokrati Lulzim Basha nuk ka pranuar që të flasë në seancën plenare të mbajtur më 16 shtator.

Ka qenë kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rrushaj, i cili ka kërkuar ndërprerje të seancës.

Sipas tij, Edi Rama duhet të ishte në sallë, ashtu siç ishte “opozita kur Rama prezantoi programin”.

“Opozita e respektoi detyrimin e saj kushtetues, të ndërpritet seanca, të vijë kryeministri dhe të vijojë më pas”, tha Rrushaj.

Alfred Rushaj, kryetar i Grupit Parlamentar demokrat

Kjo ishte faza e tretë e diskutimeve, ku do të zhvillohej debat i lirë.

Radhën për të folur e kishte kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili nuk pranoi të ngjitej në foltore.

Sipas deputetëve të PD-së, kryeministri duhet të dëgjojë vendimin e opozitës, për të mbrojtur programin që prezantoi.

Nga ana tjetër, Nikolla e ka cilësuar këtë kërkesë “jo pjesë të rregullores së Kuvendit”.

Edhe për kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kjo kërkesë nuk mbështetet në asnjë nen të rregullores.

Opozita kërkoi pezullim dhe mbledhje të Konferencës së Kryetarëve, pasi kjo është seanca më e rëndësishme plenare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore