Vende

Qyteti francez i Montpellier tanimë me transport publik falas për të gjithë banorët


Qyteti francez i Montpellier është bërë metropoli më i fundit evropian që lejon të gjithë banorët e vet të përdorin transportin publik falas.

I gjithë vendi evropian i Luksemburgut, duke përfshirë kryeqytetin e tij me të njëjtin emër, hoqi tarifat në vitin 2020, pasi kryeqyteti i Estonisë Talini prezantoi politikën në vitin 2013.

Por tani banorët e Montpellier-it me një leje të posaçme mund të udhëtojnë me tramvaje dhe autobusë pa pagesë në qytetin jugor.

Kurse vizitorët dhe turistët do të duhet të paguajnë 1,60 euro një udhëtim.

Michael Delafosse, kryetari i qytetit me 500 mijë banorë, premtoi transport publik falas kur u zgjodh në vitin 2020.

Ai filloi duke futur udhëtime falas në fundjavë atë vit, më pas vitin e ardhshëm i zgjeroi ato për të gjithë ata më të rinj 18 ose më të vjetër se 65 vjeç gjatë gjithë javës.

Delafosse ka thënë se nisma ishte pjesë e një “angazhimi evropian ndaj klimës dhe fuqisë blerëse”.

“Ne kemi krijuar një shoqatë për të ndihmuar kryebashkiakët e tjerë evropianë të bëjnë të njëjtën zgjedhje”, ka treguar ai.

Audrey Benezech, një menaxhere agjencie udhëtimi, është e impresionuar nga nisma.

“Kjo mund t’i inkurajojë njerëzit që të përdorin më pak makinat e tyre, veçanërisht me çmimin e benzinës për momentin”, ka thënë ajo.

Para nismës për ta bërë transportin publik falas në Montpellier, vetëm 86 mijë njerëz kishin paguar abonime për ta përdorur atë.

Por kjo shifër është trefishuar në 260 mijë abonentë në ditët e fundit deri në nxjerrjen e lejes, qoftë në formën e kartës apo aplikacionit për smartphone.

Sakaq, një taksë e re transporti në qytet për kompanitë me më shumë se 11 punonjës do të ndihmojë në financimin e nismës së transportit falas.

Vitin e kaluar, banorët e qytetit përbënin 90 për qind të 39 milionë eurove të shitjes së biletave të transportit publik.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore