Lajme

Protestë në Leposaviq, kërkohet lirimi i serbëve që i sulmuan gazetarët


Dhjetëra serbë janë duke protestuar para ndërtesës së komunës në Leposaviq duke kërkuar lirimin e tre serbëve të prangosur nga Policia e Kosovës në Veri ditëve të fundit për sulme ndaj gazetarëve.

“Ky është vendi ynë”, “Stop dhunës së Kurtit”, “Serbët duan paqe”, këto janë disa nga pankartat që serbët po i mbajnë në duar.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një të dyshuar për sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviq më 16 qershor.

“Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer si rezultat i hetimeve intensive dhe i sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj mediave/gazetarëve me datë 16 qershor 2023. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, u tha në njoftimin e policisë.

Shpjegim, krejt çfarë po ndodhë në Leposaviq

Ndërkaq mëngjesin e së hënë në këtë komunë, forcat ushtarake të KFOR-it kanë vendosur në post-bllok ku u raportua se nuk po lejohet ta kalojë as Policia e Kosovës.

Albanian Post ka kuptuar se arsyeja e vendosjes së post-bllokut nga KFOR-i ka të bëjë me një vizitë të paralajmëruar të ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në Leposaviq.

Plani i qeverisë ishte që të dërgohej ministri atje dhe në përcjellje të tij ishte vendosur të udhëtonte edhe një njësit i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Por, KFOR-i, në dijeni se një grup serbësh po përgatitej për përballje me eskortën e ministrit, ka bllokuar rrugëtimin e ministrit drejt Leposaviqit.

KFOR ka argumentuar se ndalimin po e bën në mënyrë që të shmanget rreziku potencial i përballjes.

Situata është cilësuar e “rrezikut të lartë”, prandaj edhe është penguar ministri të udhëtojë në drejtim të komunës më veriore të Kosovës.

Albanian Post ka komunikuar me Policinë e Kosovës, por zëdhënësi i policisë, Baki Kelani, ka refuzuar të komentojë rreth bllokadës së KFOR-it, përveçse ka thënë që “të gjitha njësitet policore të planifikuara dhe caktuara me detyrë zyrtare, janë duke kryer detyrat e tyre në terren”.

Tensionet u kthyen sërish në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit për katër kryetarët e komunave atje – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – të cilat i fituan kandidatët shqiptarë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore